Vendosni fjalën kyçe....

SPAK kërkon 12 vite burg për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri


Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) ka kërkuar dënim me 12 vite burg për ish-ministrin Saimir Tahiri.

E njëjta masë është kërkuar edhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çelën.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, kërkesa e SPAK-ut shkon në 8 vite burg për të dy ish-zyrtarët.

Kujtojmë se ish-ministri Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.

Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë. Më pas ish ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e ka pranuar për ta gjykuar. 

Tahiri u akuzua për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij.