Vendosni fjalën kyçe....

Balla në Kushtetuese: Meta kreu aktivitet politik dhe dëmtoi imazhin e Shqipërisë


Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili ishte i pranishëm sot në seancën e Gjykatës Kushtetuese ku po diskutohet mbi kërkesën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, e akuzon këtë të fundit se ka kryer aktivitet politik dhe ka dëmtuar imazhin e vendit.

Si përfaqësues i Kuvendit, Balla argumentoi vendimin për shkarkimin e Metës nga detyra.

“Meta ka kryer aktivitet politik. Meta dëmtoi imazhin e Shqipërisë. Ky është procesi i parë në histori, që gjykohet një president. Procedura e shkarkimit është e nevojshme për shkak të barazisë së të gjithëve para ligjit. Mbështeti forca të tjera politike, nxiti dhunë dhe sulmoi institucionet kushtetuese. Vënia në lëvizje e kësaj strukture për shkarkimin e Presidentit nuk është problematike.

Presidenti ka funksion mbi palët, por mori pjesë aktive në zgjedhje. Kuvendi nuk synon të ndëshkojë presidentin apo pozicionin, por personin që kreu shkeljen. A mundet ta për përfaqësojë unitetin e popullit një president shfaqet palë, nxit dhunë, ndikon në vendimmarrjen e institucioneve, sulmon gjykatën kushtetuese. Kushtetuta parashikon që Presidenti të përfaqësojë unitetin e popullit.”- tha Balla si përfaqësuesi i Kuvendit.

Balla tha se Presidenti i Republikës vendosi që në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të marrë pjesë aktive në fushatën zgjedhore duke u pozicionuar politikisht kundër një force politike, duke nxitur dhunë në deklarimet e tij, duke atakuar vetë vendet partnere të Shqipërisë, duke sulmuar institucionet Kushtetuese, Kuvendin, Këshillin e Ministrave dhe Gjykatën Kushtetuese.