Vendosni fjalën kyçe....

Danimarka heq pothuajse të gjitha kufizimet e Covid-19


Danimarka ka hequr të gjitha kufizimet e saj të brendshme kundër Covid-19, duke përfshirë mbajtjen e maskave për fytyrën. Kjo e bën atë vendin e parë të Bashkimit Evropian që e bën këtë veprim.

Klubet e natës janë rihapur, shitjet e alkoolit në orët e vona të natës kanë rifilluar dhe aplikacioni i gjurmimit të kontakteve nuk është më i nevojshëm për të hyrë në bare e restorante.

Ndonëse rastet janë ende relativisht të larta, autoritetet thonë se virusi nuk kualifikohet më si një “kërcënim kritik”.

Kjo është për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit në vend, sipas ekspertëve.

“Ne kemi një mbulim jashtëzakonisht të lartë të të rriturve të vaksinuar me tre doza.”- tha për agjencinë e lajmeve AFP epidemiologia Lone Simonsen nga Universiteti i Roskilde.

“Meqenëse Omicron nuk është një sëmundje e rëndë për të vaksinuarit, ne besojmë se është e arsyeshme të hiqen kufizimet.”– tha ajo, citon BBC.

Nga e marta, maskat nuk kërkohen më në dyqane, restorante dhe në transportin publik. Kufizimet në numrin e njerëzve të lejuar në tubime të brendshme dhe masat e distancimit social gjithashtu marrin fund.

Aplikacioni kombëtar i gjurmimit të kontakteve nuk kërkohet më, megjithëse organizatorët e eventeve nëse duan mund të zgjedhin ende ta bëjnë atë një kusht hyrjeje.

Disa kufizime të rralla do të mbeten në fuqi. Për shembull, për udhëtarët e pavaksinuar që përpiqen të kalojnë kufirin nga jashtë zonës së lirë të udhëtimit të Danimarkës, ose përdorimi i maskave të fytyrës në spitale dhe shtëpitë e kujdesit.