Vendosni fjalën kyçe....

Elisa Spiropali: PD ka shansin historik të shpëtojë përgjithnjë nga Sali Nongrata, por Lulzim Basha nuk ka asnjë shans të shpëtojë veten



Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, por edhe pas zyrtarizimit të koalicionit të Komisionit të Rithemelimit me LSI-në dhe PDK-në.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shprehet se PD ka shansin historik të shpëtojë nga Sali Berisha por kryedemokrati Lulzim Basha nuk ka asnjë shans të shpëtojë veten, duke i quajtur ata “babë e bir” dhe “bashkëfajtorë”.

“Partia Demokratike ka shansin historik të shpëtojë përgjithnjë nga Sali Nongrata, por Lulzim Basha nuk ka asnjë shans praktik që ta shpëtojë veten duke shqelmuar Saliun.

Luli me Saliun janë bir e babë, bashkëfajtorë dhe bashkëpërfitues. Ata janë e shkuara nga e cila Shqipëria ka shpëtuar dhe tani edhe PD ka mundësinë të shpëtojë, duke u vënë shqelmin të dy të marrëve, babës së lajthitur dhe birit dështak.”- shkruan ministrja Spiropali.

Kujtojmë se paraditen e sotme, koalicioni “Shtëpia e Lirisë” ka dorëzuar në KQZ kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. Kërkesa është dorëzuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila përfshin në koalicion Partinë Demokristiane e drejtuar nga Nard Ndoka dhe grupimin e ish-kryeministrit Sali Berisha në emër të “Partia Demokratike e Shqipërisë e përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit”, e pa regjistruar si parti.