Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e përfaqësuesit të Presidentit Ilir Meta në seancën e sotme, për dorëheqjen e trupës së gjyqtareve.
Sipas televizionit “News 24”, Gjykata konstatoi se asnjë gjyqtar nuk parashtroi kërkesë për dorëheqje, pavarësisht kërkesës së Presidentit.
Përfaqësuesi ligjor i Presidentit Bledar Dervishaj kërkoi dorëheqjen e trupës gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji dhe Përparim Kalo dhe Marsida Xhaferllari me argumentin se nuk janë të paanshëm këtë çështje.
Por Gjykata Kushtetuese vendosi që kërkesa e Presidencës, për përjashtimin e trupës gjykuese është haptazi e pabazuar.
Edhe kërkesat për Sonila Bejtjan dhe Elsa Toskën janë rrëzuar nga gjykata duke vijuar seancën për kërkesën e parlamentit për shkarkimin e Presidentit.