Vendosni fjalën kyçe....

Koalicioni “Shtëpia e Lirisë”/ Reagimi i PD-së: U zyrtarizua partia e vjetër Meta-Berisha-Rama, kanë vetëm dy qëllime


PD-ja zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha ka reaguar pas zyrtarizimit të koalicionit mes Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Demokristiane dhe grupit të Komisionit të Rithemelimit të PD-së.

Në njoftimin për mediet, PD e quan këtë koalicion “partinë e vjetër Meta-Berisha-Rama”. Ky koalicion sipas PD-së simbolizon korrupsionin, politikën e vjetër, lajmet e rreme dhe disinformimin si dhe ka 2 qëllime: “Të dëmtojë PD-në dhe demokratët si dhe të bëhet strehë mbrojtëse për Metën dhe Berishën”.

Po ashtu thuhet se me zyrtarizimin e koalicionit, shpjegohet edhe kandidimi në Dibër i Premtim Kryemadhit: Premtim Kryemadhi mund të jetë kushëriri i Monika Kryemadhit, mund të jetë edhe bashkëshorti i prokurores që mbrojti dhe shpëtoi nga burgu Edi Ramën dhe bandën e tij, por me PD dhe demokratët nuk ka asnjë lidhje.

Kandidimi i tij shpjegon më së miri edhe komunikimin privat të Flamur Nokës dhe Ulsi Manjës. Kandidatin e koalicionit Non-Grata e kanë zgjedhur bashkërisht. Ulsi Manja, nëse bashkëshortja e kandidatit të Flamur Nokës në Dibër do të zbatonte ligjin dhe do hetonte dosjen 184, do ishte në burg dhe jo në krye të Ministrisë së Drejtësisë.”

Kujtojmë se paraditen e sotme, koalicioni “Shtëpia e Lirisë” ka dorëzuar në KQZ kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. Kërkesa është dorëzuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila përfshin në koalicion Partinë Demokristiane e drejtuar nga Nard Ndoka dhe grupimin e ish-kryeministrit Sali Berisha në emër të “Partia Demokratike e Shqipërisë e përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit”, e pa regjistruar si parti.

DEKLARATA E PD-së

Më në fund Sali Berisha zyrtarizoi partinë e vjetër Meta-Berisha-Rama që simbolizon gjithçka që nuk shkon në Shqipëri:

Korrupsionin

Politikën e vjetër

Lajmet e rreme dhe disinformimin.

Kandidimi në Dibër i bashkëshortit të prokurores që mbrojti bandën e Edi Ramës, duke mos hetuar dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, është provokim i rëndë për çdo demokrat dibran që masakrën zgjedhore e provuan të parët në 2016.

Premtim Kryemadhi mund të jetë kushëriri i Monika Kryemadhit, mund të jetë edhe bashkëshorti i prokurores që mbrojti dhe shpëtoi nga burgu Edi Ramën dhe bandën e tij, por me PD dhe demokratët nuk ka asnjë lidhje.

Kandidimi i tij shpjegon më së miri edhe komunikimin privat të Flamur Nokës dhe Ulsi Manjës. Kandidatin e koalicionit “Non-Grata” e kanë zgjedhur bashkërisht. Ulsi Manja, nëse bashkëshortja e kandidatit të Flamur Nokës në Dibër do të zbatonte ligjin dhe do hetonte dosjen 184, do ishte në burg dhe jo në krye të Ministrisë së Drejtësisë.

Partia e vjetër Meta-Berisha-Rama ka 2 qëllime:

  1. Të dëmtojë PD dhe demokratët
  2. Të bëhet strehë mbrojtëse për Metën dhe Berishën.

Ajo është streha për Ilirin dhe Saliun.

Zgjedh Ramën, mban Berishën dhe Metën.

Zgjedh Berishën dhe Metën, dhe mban Ramën.