Lista Serbe, partia udhëheqëse serbe e Kosovës e mbështetur nga Beogradi, ka thënë se të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar dhe atij të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak u kanë vënë në dukje problemet e serbëve dhe obligimet e Kosovës, sipas Marrëveshjes së Brukselit, me fokus të veçantë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq theksoi se Marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe se populli serb kundërshton synimet e Prishtinës për t’i reduktuar obligimet e tyre sa i përket kompetencave të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sikurse janë ato në fushën e gjyqësorit, energjetikës, diplomave dhe realizimit të vizitave për serbët në këto hapësira”, thuhet në një komunikatë të Listës Serbe.
Aty është shtuar se përfaqësuesit politikë të serbëve kanë kërkuar që sa më urgjentisht të forcohet siguria për serbët në Kosovë, për pronat e tyre, por edhe për ato të Kishës Ortodokse Serbe.
Escobar dhe Lajçak janë takuar të martën, veç e veç, me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Liderët e partive opozitare në Kosovë kanë thënë se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të bëhet duke mos cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë.