Vendosni fjalën kyçe....

Policia nxjerr informacionin zyrtar nga aksidenti me tre viktima: “Benz”-i që përfundoi në lumë u përplas nga një makinë


Policia e Elbasanit ka publikuar informacionin zyrtar lidhur me  aksidentin tragjik me tre viktima dhe dy të plagosur që ndodhi paraditën e sotme.

Sipas policisë, mjeti tip “Benz” pasi u përplas nga një makinë Ford, doli nga rruga dhe ra në lumin Shkumbin.

 “Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe të punonjësve të Policisë, në kushte shumë të vështira, pas disa orësh u bë e mundur që të nxirren pa jetë nga mjeti që kishte rënë në mes të lumit, shtetasit E. K., 52 vjeç, E. K., 34 vjeçe dhe E. S., 18 vjeç.”- tha policia.

Të plagosur mbetën një fëmijë 10 vjeç si dhe Ambra Halili 20 vjeçe, të cilët janë dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë ku ndodhen në gjendje të rëndë.

Policia thotë se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.

Sipas Shqiptarja.com, pesë pasagjerët ishin nisur nga Kukësi për të shkuar në Korçë për të festuar një ditëlindje, një festë që nuk arritën ta gëzonin.

Njoftimi zyrtar nga Policia

Më datë 01.02.2022, rreth orës 09:10, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, automjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin S. GJ., 32 vjeç, banues në fshatin Floq, Librazhd, është përplasur me mjetin tip “Benz”, i cili ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Shkumbin.

Shërbimet e Policisë, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, bashkë me shërbimet e zjarrfikëses.

Si pasojë e aksidentit janë plagosur rëndë shtetasit A. H., rreth 20 vjeçe dhe E. K., rreth 10 vjeç, të cilat janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjeksore.

Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe të punonjësve të Policisë, në kushte shumë të vështira, pas disa orësh u bë e mundur që të nxirren pa jetë nga mjeti që kishte rënë në mes të lumit, shtetasit E. K., 52 vjeç, E. K., 34 vjeçe dhe E. S., 18 vjeç.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.