Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të martë disa foto nga investimi i bërë në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor në Berat.
Në postimin e tij Rama shprehet se ambientet e këtij institucioni janë kthyer nga një mjedis që deri dje ishte me qira në pronën e “mikut të asaj partisë së kaluar”, duke iu referuar LSI-së, në një mjedis të ri shtetëror.
“Berat – Drejtoria Rajonale Transportit Rrugor Shqiptar nga një mjedis deri dje me qera në pronën e mikut të asaj partisë që e dini vetë ju, në një mjedis të ri shtetëror, që flet vetë për ndryshimin rrënjësor”– shkruan Rama.
Postimit të kryeministrit i është kundërpërgjigjur ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka. Ajo i kujton Ramës se ka qenë vetë ai që e ka emëruar drejtorin në atë kohë, Dorian Shehun nga PS. Ajo shton se kryeministri ia ka dhënë vetë mikut të tij ambientin me qira.
“Ke 9 vite kryeministër dhe 5 vitet e fundit po drejton VETËM! Je ti duke e shkatërruar Shqipërinë, ndaj mos kërko alibi tek partia që 5 vite më parë të braktisi të mbyteshe i vetëm në zullumet e tua.
Aq përgjegjësi ke, sa edhe drejtorin e emërove TI (po t’a kujtoj që ka qenë Dorian Shehu nga PS) edhe ambjentet me qira ia ke dhënë ti vetë atij mikut që në fillim i hoqe mandatin e deputetit e më pas e strehove në partinë tënde.
Merru me ndonjë gjë të rëndësishme si borxhi publik se po shkojnë shteti dhe bankat në faliment, se sa për fasadat e zyrave të shtetit nuk i intereson më asnjë shqiptari, përveç atyre që ke punësuar në administratë si sharës me pagesë.”- shkruan Caka.