Vendosni fjalën kyçe....

Akuzat për rritje trefish të pagave, reagon Federata Shqiptare e Futbollit: Dezinformim nga mediat e kapura nga Veliaj



Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar lidhur me shkrimet në medie, për rritjen e pagave të drejtuesve të FSHF-së.

FSHF thotë se këto shkrime vijnë në një fushatë dezinformimi nga media të cilat “janë të kapura” nga kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, duke mohuar kështu të ketë rritje pagash për drejtuesit e këtij institucioni.

“Vazhdon fushata e dezinformimit dhe mashtrimit nga gazeta ‘Panorama’, e dirigjuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. Përditë, me gjithë përgënjeshtrimet dhe deklaratat e bëra, kjo media joprofesionale dhe e vënë në shërbim të klaneve politike që me patjetër duan të sajojnë diçka, për të bindur opinionin publik se në FSHF ka abuzime, shpërdorime sidomos me fondet, sot ka fabrikuar lajmin e rremë se pagat e punonjësve të FSHF-së janë trefishuar.

Kjo përpjekje qesharake, që i ngjan asaj të një dite më parë pasi simotra e saj ‘Panorama Sport’ në titullin kryesor shkruante ‘Ceferin nxjerr blof Dukën dhe nuk vjen në Tiranë’, ndërkohë që presidenti i UEFA-s aktualisht ndodhet në kryeqytet për një vizitë, vijoi edhe sot teksa kjo fletushkë joprofesionale tentoi përsëri të godasë, duke dezinformuar dhe gënjyer haptazi.

Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet zyrës së saj të financës konfirmon për publikun e gjerë se tabela e pagave nuk ka pësuar asnjë ndryshim në këtë periudhë dhe jo më, të trefishohet. I bëjmë thirrje opinionit publik që të mos ndikohet nga dezinformomi i vazhdueshëm dhe i përditshëm i mediave të kapura nga kryetari i Bashkisë së Tiranës.”- thuhet në reagimin e FSHF-së.

Pas këtij reagimi, gazeta Panorama ka publikuar një dokument, ku tregohet se paga e Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së Ilir Shulkut ka shkuar në 16 milionë lekë të vjetra.

Drejtoresha e Burimeve Njerëzore në FSHF, Edlira Jaupaj, thuhet se nga 3 milionë lekë në muaj, që ia kishte caktuar vetes deri në prill 2021, këto muaj e ka çuar në 9.3 milionë lekë. Të tjerë zyrtarë të FSHF-së gjithashtu.