Deputetja demokrate e Komisionit të Rithemelimit të PD-së Albana Vokshi ka denoncuar sot në Parlament dhunën dhe diskriminimin në vendin e punës.
Vokshi përmendi kërcënimet në administratën publike ndaj punonjësve, për t’u angazhuar në fushata zgjedhore dhe për të kryer edhe detyrën e patronazhistit.
Ajo tha se vetëm në njësitë 9 dhe 11 në Tiranë, janë angazhuar rreth 700 patronazhistë nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe 520 për ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, të cilët kanë patronazhuar miëjra qytetarë.
“Probleme ka jo vetëm në sektorin privat, dhunë, diskriminim, ngacmime, kërcënime, shantazhe ndodhin në mënyrë të përditshme në sektorin publik.
Mijëra raste të shkarkimit dhe hedhjes në rrugë të punonjësve të administratës, vetëm për motive politike. Edhe sot paguhen dy rroga për një vend pune, duke sjellë një dëm të konsiderueshëm në buxhetin e shtetit. Qindra vendime gjykate që nuk implementohen, sepse ministri apo deputeti i maxhorancës do të mbajë atë militantin apo atë patronazhistin në atë vend pune.
Sot administrata publike është në terrorin e shefit, drejtorit, zv.ministrit, ministrit e me radhë nga gjithë hierarkia shtetërore. Administrata Publike detyrohet që të kryejë detyrat shtetërore por në fushata elektorale duhet të angazhohet edhe si patronazhiste për të siguruar vota për partinë shtet.
E nëse kundërshtojnë, edhe ata do të shtohen në radhën e të papunëve në Shqipëri, e cila ka kapur shifra alarmante, sidomos gjatë periudhës së pandemisë.
Për ta bërë më të qartë, a e dini se sa punonjës të administratës kanë bërë patronazhistin gjatë fushatës zgjedhore të 25 Prillit në njësitë administrative 9 dhe 11?
Për ministren Manastirliu, rreth 700 patronazhistë në total. Për 355 ka informacion nga këta, 250 janë nëpunës civilë të cilët kanë patronazhuar 25 mijë e 445 qytetarë, votues. Për zotin Manja kanë punuar 520 patronazhistë, rreth 180 nëpunës civilë që kanë patronazhuar 18 mijë e 480 të patronazhuar, ja pra dhuna dhe diskriminimi që ushtrohet ndaj punonjësve civilë të administratës. Kam çuar kallëzim në SPAK, por ai hesht për krimin më të madh zgjedhor që dhunoi të drejtën kushtetuese për të votuar të lirë.
Për fat të keq, presioni mbi rrogën e ka shndërruar armatën e të punësuarve në një trupë pa forcë reagimi, e për më tepër pa një vizion dhe orientim për të kërkuar të drejtat e tyre.”– deklaroi Vokshi.
Pak më herët, ajo përmendi sektorin privat, duke iu referuar një proteste të dy ditëve më parë të punonjëseve të një biznesi fason që kërkonin të drejtat e tyre të sanksionuara me ligj, për t’u paguar për orët shtesë dhe punën në fundjavë.
“Para dy ditësh po ndiqja një kronikë televizive, ku disa zonja, punonjëse të një biznesi fason protestonin për kushtet minimale në vendin e punës. Çfarë kërkonin ato? Kërkonin që pronari i kompanisë t’i paguante për orët shtesë dhe t’i paguante kur ato punonin gjatë fundjavës, pra të shtunave e të dielave. Për një vend demokratik dhe perëndimor ku Shqipëria dëshiron të bashkohet, kërkesat e këtyre zonjave do dukeshin krejt absurde. Pse? Sepse janë të sanksionuara në ligj, në Kodin e Punës dhe në Kushtetutë.
Por në vendin tonë të varfëruar, të vjedhur, të keq qeverisur nga këta që janë ulur pas meje, të punësuarit duhet të kërkojnë edhe të drejtat e tyre minimale e s’mund të kërkojnë më tepër.
Edhe këto kërkesa minimale është e vështirë që do të mund t’ju plotësohen. Edhe pse përcaktohen pra qartë në legjislacion.
Këto gra e vajza ashtu sikurse shumë të tjera përpara tyre do të detyrohen të mbyllin gojën, do të kthehen kokëulur në vendin e punës ose në të kundërt do të mund edhe të largohen dhe të humbasin pagën me të cilën mbajnë familjen.
Kërcënimi me vendin e punës është forma më e përhapur e diskriminimit. Pse? Sepse në Shqipëri shteti nuk funksionon. Shteti nuk mbron qytetarin, nuk mbron punonjësin por e sheh atë si armik.
Shihni dhunën, diskriminimin, përçmimin, injorimin e shtetit ndaj qytetarëve të 5 Majit, të Laprakës, të Paskuqanit që kërkojnë zbatimin e legjislacionit aktual dhe të konventave ndërkombëtare. Edi Rama i sheh ata si armiq sa herë që i pengojnë aferat e mëdha korruptive.”- tha Vokshi.