Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji është ankuar në Kuvend për kohën që i dhënë në dispozicion ish-kryeministrit Sali Berisha nga drejtuesja e seancës.
Salianji tha se kjo ishte abuzive, pasi u është marrë fjala deputetëve të tjerë për t’i dhënë Berishës fjalën disa herë.
Ai shtoi se Berisha flet për PD-në, por kjo parti nuk është pronë as e tij dhe as e Lulzim Bashës, por e demokratëve që kanë sakrifikuar për të.
“I jep fjalën ish-kryetarit të Partisë Demokratike, për t’i marrë kohën deputetëve duke kaluar të gjitha afatet. Qoftë duke i dhënë fjalën në emër të deputetëve të PD-së. Një teatër i shpifur që nuk nderon askënd. Kjo është të abuzosh me detyrën dhe duke fyer të gjithë deputetët që pas çdo gomarllëku që thuhet këtu, mund të kenë diçka të flasim. Parafolësi ka folur për PD-në.
Padiskutim që parafolësi flet për PD, i ka ardhur dita, por të njëjtën këngë ka dëgjuar edhe vetë kur ka shkuar te PSV 91, ku dilte me Nanon.
Të njëjtën gjë edhe ish-ministrja që foli para jush, kur i quanin mjaftista.
Pjesa e të marrurit me PD-në, e ndërkohë që duhet të ketë përgjegjësi serioze për atë që diskutohet, është e turpshme. Keni një koncept pronësor, që doja ta thoja pak më përpara.
Askush nuk është PD që ma jepni fjalën se u përmend PD. PD është pasuri e qytetarëve shqiptarë. E ndërtuar me djersën dhe gjakun e shumë demokratëve. PD nuk është as Sali Berisha, nëse doni ju as Lulzim Basha e as kryetari tjetër që do të vijë e as ata që kanë qenë më përpara, por do të jetë pronë e demokratëve që kanë kontribuar. Edhe në këtë kuptim është një shkelje tjetër që jepet fjala ku diskutohet për këtë.”- u shpreh deputeti demokrat.
Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla iu përgjigj Salianjit duke i thënë se është respektuar rregullorja dhe se ka pasur vetëm një zëvendësim në rastin e zotit Berisha. Madje ajo i kujtoi Salianjit se edhe ai është shtuar pasi është dorëzua lista.