Vendosni fjalën kyçe....

Gjendet i vdekur një tjetër shqiptar në Belgjikë, prokurori: E dyshimtë, ka shenja dhune


Një tjetër shtetas shqiptar është gjetur i vdekur në Belgjikë. Ngjarja ka ndodhur në rrethana të dyshimta, teksa personi ende i paidentifikuar është gjetur pa shenja jete në qytetin e Roeselare.

Sipas policisë e prokurorëve belgë, shërbimet e urgjencës u njoftuan në orën 5 të mëngjesit të sotëm lidhur me trupin e pajetë të një 38-vjeçari.

Viktima u gjet në shkallët e pallatit ndërsa sipas fqinjëve, rreth orës 4 e 30 të mëngjesit është dëgjuar një zhurmë e fortë.

“Viktima kishte shenja dhunë në pjesën e pasme të kokës.” – ka thënë Tom Janssens, përfaqësues i prokurorisë.

“Një ekspert mjeko-logjor është në vendin e ngjarjes dhe bashkë me policinë e prokurorët po këqyrin zonën. Bëhet fjalë për një vdekje të dyshimtë dhe do presim përfundimin e hetimit.” – shtoi ai.

Pak ditë më parë në Belgjikë u ekzekutua me armë zjarri Bledar Muça, një person që njihej si krahu i djathtë i Florenc e Ardian Çapjas. Ekzekutimi i tij dyshohet se ka të bëjë me luftën mes bandave të drogës në Belgjikë.