Së pari, për të mos patur asnjë keqkuptim më duhet të sqaroj kuptimin shkencor të termit injorancë. Njeriu lind injorant, por për të jetuar në një shoqëri detyrohet të mësojë, të gjejë burime teorike e etike për të kuptuar jetën reale. Dhe sa më shumë të mësojë, aq më shumë arrin të përshtatet e të krijojë një të ardhme më të mirë për veten dhe shoqërinë. Kështu është zhvilluar shoqëria njerëzore që prej agimit të saj. Por sot jetojmë në një botë dixhitale. Tashmë kemi në dispozicion të gjitha aparaturat “nomade” që na ndihmojnë të gjejmë informacionin që kërkojmë kudondodhemi. Edhe majë malit. Kemi rrjetet sociale, që na krijojnë mundësinë të gjejmë lajme e informacione. Kemi lalin që do na bëjë një Qendër të madhe të teknologjisë dixhitale për të rinjtë … kemi… e çfarë nuk kemi! Por ashtu si pa u ndjerë po harrojmë se po hyjmë në epokën e injorancës. Kur thashë pak më sipër se të gjithë lindim injorantë kisha parasysh faktin që njeriu lind si dërrasë e pashkruar e më pas mëson. Por ama ne të gjithë jemi Injorantë. Puna është se ata që mësojnë dhe dijen e leximin e kanë të përditshme, e dinë këtë. Të tjerët jo vetëm nuk e dinë, por të shesin mënd nga mëngjesi në darkë, duke demostruar vetëm injorancën e tyre, që e shesin për zgjuarsi! Dhe nga kjo lloj injorance nuk të shpëton fatkeqësisht as diploma dhe as doktoratura. I keni dëgjuar opinionet e të rinjve sot? Pse duhet të mësojmë kur fare mirë ato që na duhen i shkarkojmë nga interneti? Nëse nuk e kuptoni se për çfarë injorance flas atëherë po ju sjell vetëm disa shembuj.
Bëra një test të tillë:
-Vendosa pranë e pranë një foto të Ismail Qemalit dhe një foto të shkollës së parë shqipe në Korçë. Pyetja ishte; Në cilin vit Ismail Qemali hapi shkollën e parë shqipe në Korçë? E dini? Nga 85 studentë vetëm 2 thanë se nuk ka lidhje Ismail Qemali me Shkollën e parë shqipe. Të tjerët gjetën si përgjigje vite të “çuditshme”. Eshtë një harresë masive? Apo dija, që kanë marrë në shkollë është e paqëndrueshme?
-Pyet çfarë di për Faik Konicën. Në fillim ngre supet pastaj befas thotë: Uu po m-u kujtua… është ai që ka bërë Kanunin e Lekë Dukagjinit!
Hyn të dëgjosh një orë gjeografie dhe mësuesja rendit si shtete afrikane: Adisa Abeben, Kairon… Një i diplomuar mburret se nuk ka mësuar asgjë nga gjeografia, apo një prind që thotë: “Fëmija nuk shkon dhe aq mirë në shkollë, por do hyjë te “Voisi” dhe kam shpresë se do bëhet i famshëm!”
Askush nuk flet për dijen
Shikoni një shoë televiziv, nga ato që ndiqen gjerësisht nga njerëzit dhe e kupton se injoranca ka fituar mbi çdo llojë dije, etike apo dhe mbi vetë vulgaritetin. Biseda pa logjikë, intrigat dhe seksi pa kufij, fjalori banal dhe shkelja mbi tjetrin, shiten si moderne dhe për më tepër përcillen si “trendy” i kohës. Dëgjova një vajzë, e cila kishte hyrë në një nga këto programe dhe pyetjes së moderatores:-A do të hyje në mes të një çifti të martuar nëse të pëlqen djali? Përgjigja ishte: “Sigurisht që do hyja. Pse ne femrat të mos kemi të drejtën të jemi të lira? Njeriu duhet të luftojë me çdo mjet për të arritur atë që do!” Dhe të mendosh që ndërsa familjen e trajtojmë ende si konservatore, këto familje na i mbështesin pjesëmarrësit në këto shfaqje injorance moderne! Dhe të tjerët që bëjnë indiferentin, sepse në një sistem ku të gjithë janë të “çmendur” të jesh normal është e pamundur! Ndaj them se kemi hyrë në epokën e injorancës.
Efekti i këtij bombardimi të individualizmit duke shkelur mbi këdo, efekti i xhelozisë, inatit, intrigës, kurtheve, dhunës mbi një popullsi që në përqindje të lartë prodhon analfabetë funskionalodixhital, po kthehet në normalitet. Në këtë Normalitet injoranca është sunduese dhe Injoranti bëhet VIP! Gjuha antikulturë është bërë trendy. Dëgjon një gazetar që i drejtohet në mënyrë denigruese një njeriu të zakonshëm, që nuk e di se çfarë është chack- up dhe tallet me të (ndërkohë kështu tallet dhe politika dhe me ata që e dinë se çfarë është)! Dikush tjetër që i drejtohet presidentit me: Hë mo çfarë do bëje Ti me këtë? Dhe gjuha e urrjetjes dhe e antikulturës, e antidijes shpërthen me forcë përballë dikujt që modestisht thotë diçka me vlerë: se vlera dhe dija nuk shkojnë bashkë me “trendyn injorant të kohës.
Dhe së fundi: Cilët duhet ta mbajnë gjallë dijen dhe kulturën në një botë antikulturë dhe antivlerë? Nga do ta kthesh, arsimi mbetet një hallkë e domosdoshme. Por kështu si është prodhon injorantë me shumicë dhe kur injorantit i jep në dorë teknologjinë më të lartë ai bëhet shfarosës i dijes, kulturës dhe etikës. Dhe nuk e kam fjalën për “dije” enciklopedike, por për dije sokratiane!
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Telegraf.al