Vendosni fjalën kyçe....

KLP-ja zgjedh drejtuesin e Prokurorisë së Vlorës


Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zgjedhur ditën e sotme drejtuesin e Prokurorisë së Vlorës në një garë mes dy kandidatëve.

Aurel Zarka u zgjodh në fund pas dëgjesës mbi platformën e kandidimit për drejtimin e institucionit të akuzës.

Zarka mori 218 pikë kundrejt 178 pikë të rivalit të tij.

Njoftimi i KLP:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar ditën e sotme, më 03.02.2022, seancën dëgjimore për përzgjedhjen e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.

Duke respektuar të gjithë detyrimin ligjor, dy (2) kandidatët e kualifikuar në këtë faze, ishin z. Albert Kuliçi dhe z. Aurel Zarka, të cilët kishin kaluar me sukses verifikimin e pasurisë dhe figurës.

Kandidimi i tyre dhe vlerësimi për secilin kriter të posaçëm, u miratua gjatë mbledhjes së datës 24.01.2022, me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës.

Kandidatët paraqitën platformën e tyre përpara Këshillit dhe në përfundim të secilit prezantim, ata iu përgjigjën pyetjeve dhe komenteve të bëra nga anëtarët e tij.

Në përfundim të prezantimeve respektive, Këshilli u tërhoq për të vazhduar më tej me procesin e pikëzimit dhe të votimit, për të miratuar më pas vendimin për renditjen e kandidatëve.

Pas vlerësimit të 2 (dy) kandidatëve-prokurorë, Këshilli vendosi renditjen e kandidatëve, si vijon:

  1. z. Aurel Zarka     ( 218 pikë )
  2. z. Albert Kuliçi    ( 178 pikë )