Po vijon protesta e banorëve të Laprakës, Paskuqanit e ‘5 Majit’ para parlamentit kundër prishjes së banesave të tyre.
Banorët kërkojnë dëmshpërblim për banesat që u prishen si dhe proces të rregullt e transparent.
Ata kanë hedhur akuza ndaj kryebashkiakut Veliaj të ciline kanë quajtur ‘kriminel’.
“Trafikantët kanë ndërtuar pallate në zonën e 5 Majit por ato nuk preken, vetëm banesat tona. O ne, o trafikantët. Ta mposhtim Erion Velian, këtë kriminel.” – ka thënë njëri nga protestuesit.
Një banor tjetër ka pohuar se është i sëmurë dhe ka kërcënuar se do vrarë veten dhe gruan e tij nëse i prishet shtëpia.
“Shtëpia ime do prishet. Jam i sëmurë me dializë, gruan e kam pa pension. Se di ku do ikim, jam i vrarë nga jeta ime. Po na morën shtëpinë do vras veten dhe gruan se s’na ka mbetur gjë. Burrë e grua jemi. Unë jam i mbaruar, jam i vdekur nëse na marrin shtëpinë. Do vras gruan dhe veten, të rrojnë këta s’kam çfarë të bëj, s’kam ku shkoj.” – tha banori.
Ndërsa një tjetër banor tha se nuk kërkon asgjë tjetër veç zbatimit të ligjit e dëmshpërblimit të drejtë.
“Ne kërkojmë vetëm të zbatohet ligji, asgjë më shumë. Në aktmarrëveshje nuk është përcaktuar asgjë saktë, nuk përcaktohet dëmshpërblimi. Ne nuk dimë ku po firmosim.” – tha ai.