Vendosni fjalën kyçe....

Qytetarët zhvendosin protestën tek Ambasada e SHBA-ve, e më pas para selisë së BE-së në Tiranë: Nuk po kërkojmë luks, të trajtohemi njëherë siç i trajtoni ju qytetarët tuaj


Banorët e zonës së 5 Majit, Shkozës, Paskuqanit dhe Laprakës, kanë vijuar protestën e tyre kundër prishjes së banesave.

Pas Parlamentit, protestuesit kanë zhvilluar një protestë para Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

Protestuesit kanë kërkuar nga ambasadorja Yuri Kim që të angazhohet në problematikën e tyre dhe t’u dëgjohet zëri.

 “Janë qindra banorë të Laprakës, 5 majit, Shkozës e me radhë që u merret prona. Kemi ardhur pranë Ambasadës së SHBA duke qenë se ambasadorja është e përfshirë në jetën politike të vendit. Ashtu siç je aktive në jetën politike, të jesh më e përfshirë sa i përket shkeljeve dhe shpërdorimit të detyrave që bëhet me emër të SHBA siç ndodhi në Unazën e Madhe, në zonën e Astirit.

Kërkojmë nga Ambasadorja Kim, që hartohet një ligj i posaçëm për pronat. Nuk po kërkojmë luks, thjesht të na njihet prona me ligj që nesër kur të na vijnë fadromat të marrim atë që na takon.

Të na trajtojnë njëherë të vetme si shtetas amerikanë në Shqipëri. Ashtu siç i trajton shteti juaj qytetarët. Kërkojmë të na njihet ligji e të themi që o sa mirë me qenë shqiptar. Duhet të themi për një ditë të vetme o sa mirë me qenë shqiptar. Kërkojmë ndihmën tuaj zonjë!”- tha një qytetar.

Një tjetër i kërkoi ambasadores t’i miratohet viza për në SHBA: “Mua më shembet shtëpia më datën 22. Unë kam një kërkesë, më jepni vizën dhe të largohem në Amerikë”.

Qytetarët bllokuan edhe qarkullimin për disa minuta pranë Ambasadës Amerikane.

Më herët qytetarët u bashkuan në një protestë para Parlamentit dhe kërkuan transparencë për projektin që po zbatohet dhe parashikon shembjen e banesave të tyre.

Pas Ambasadës Amerikane, protestuesit kanë nisur marshimin drejt selisë së BE-së në Tiranë.