Të paktën gjashtë fëmijë janë vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë në fshatin sirian Atmeh, ku siç njoftoi presidenti amerikan Joe Biden u ekzekutua lideri i Shtetit Islamik, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi.
“UNICEF-i konfirmon se të paktën gjashtë fëmijë u vranë dhe një vajzë u plagos rëndë gjatë natës në qytetin kufitar Atmeh në veriperëndim të Sirisë për shkak të dhunës së rëndë.”- tha në një deklaratë Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët.
Duke iu referuar raporteve vendase, UNICEF shtoi se “zonat e populluara nga civilët u dëmtuan rëndë”.
Sipas një zyrtari amerikan të cituar nga AFP dhe Axios, al-Qurayshi kishte hedhur veten në erë me një jelek vetëvrasës gjatë bastisjes së SHBA-ve. Shpërthimi vrau atë dhe anëtarët e familjes së tij, duke përfshirë gra dhe fëmijë. Pretendimi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Njoftimi i presidentit amerikan erdhi disa orë pasi Pentagoni konfirmoi “operacionin kundër terrorizmit” i cili synonte një shtëpi në fshatin Atmeh. Banorët vendas i thanë AP-së se në operacion ishin përfshirë helikopterë të shumtë dhe mund të dëgjoheshin shpërthime dhe të shtëna mitralozësh.
Mediat siriane kanë raportuar se 13 persona, përfshirë gjashtë fëmijë, u vranë dhe se numri i viktimave pritet të rritet pasi disa njerëz mbeten ende nën rrënoja pas bastisjes. Megjithatë, nuk ka pasur asnjë koment për ndonjë viktimë civile as në deklaratat e Bidenit dhe as të ushtrisë amerikane.