Ministria e Arsimit i ka hequr licencën kopshtit në Fier, ku një fëmijë 3-vjeçar u mbyt një muaj më parë.
Sipas ministrisë së Arsimit, institucioni arsimor parauniversitar privat kishte “regjistruar dhe pranuar fëmijë në kopsht mbi numrin e lejuar të fëmijëve për grup, duke sjelle si pasojë mungesën e përkujdesjes së nevojshme për këta fëmijë”.
Po ashtu kopshti thuhet se nuk plotësonte standardet infrastrukturore.
Kopshti gjithashtu sipas konstatimit të MAS, nuk plotëson kriteret e parashikuara në ligj që edukatorët të kenë diplomën e ciklit të parë “Bachelor”.
NJOFTIMI:
Ministria e Arsimit dhe Sportit, nisur nga rasti tragjik i Fierit, kërkoi nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP) ngritjen e një grupi pune për inspektimin e institucionit arsimor parashkollor, kopshti “Flatrat e Dijes”.
https://arsimi.gov.al/wp-content/uploads/2022/02/URDHER-NR.45.DT_.3.2.2022.pdf
Sipas relacionit të grupit të punës janë gjetur këto shkelje:
1- Nuk ka drejtues Didaktik.
2- Ka regjistruar fëmijë të moshës nën 3 vjeç, në kundërshtim me ligjin.
3- Personeli mësimdhënës nuk plotëson kriteret e parashikuara në ligjin 69/2012 neni 57.
4- Nuk plotëson standardet infrastrukturore.
5- Ka regjistruar dhe pranuar fëmijë mbi numrin e lejuar.
6- Nuk ka përmbushur detyrimet në lidhje me dokumentacionin e nevojshëm, duke përfshirë edhe kontratat me prindërit.
Nisur nga këto shkelje, MAS mori vendimin për mbylljen e veprimtarisë së këtij kopshti dhe revokimin e licencës nga QKB.