Një banesë në Shkodër është përfshirë nga flakët pasditen e sotme në lagjen Salo Halili, ku si pasojë ka humbur jetën një person.
Policia ka njoftuar se viktima është 79-vjeçari Musa Zeqiri, ndërsa mësohet se ka pësuar djegie edhe bashkëshortja e viktimës, e cila ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
“Më datë 03.02.2022, rreth orës 13:30, në lagjen ‘Salo Halili’, Shkodër, ka rënë zjarr në katin e parë të një pallati. Si pasojë ka gjetur vdekjen shtetas M. Z. 79 vjeç, dhe ka pësur djegie bashkëshortja e tij e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Rajonal Shkodër.
Në vendin e ngjarjes ndodhen shërbimet e Policisë dhe shërbimet PMNZ, ku kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.
Grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.”- thotë Policia.
Banorët e lagjes, të cilët kanë shkuar menjëherë në momentin e rënies së zjarrit, kanë treguar se kanë shpëtuar gruan e moshuar, ndërsa 72-vjeçarin nuk kanë mundur ta nxjerrin dot. Sipas tyre, në këtë banesë kishte rënë zjarr disa herë, por këtë radhë incidenti kishte rezultuar fatal për të moshuarin.