Vendosni fjalën kyçe....

Avokati i Tahirit: Vendim i gjykatës skandaloz, nëse kjo është reforma politikanët ‘të vishen trashë’


Avokati i ish-ministrit Tahiri, Maks Haxhia, e ka quajtur skandaloz vendimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar.

Sipas tij, vendimi i gjykatës nuk i përmbush kriteret juridike.

Haxhia tha se shpërdorimi i detyrës nuk është kompetencë e GJKKO-së dhe se vendimi ishte për të njollosur ish-ministrin Tahiri.

“Lidhur me këtë vendim, pavarësisht se jam avokat, ishte një vendim skandaloz. Dy gjëra dihet që janë të sigurta në këtë vend lindja dhe vdekja. Nëse dënimi i Tahirit do të kënaqë opinionin shqiptar le të quhet i përmbushur. Kjo gjykatë bëri atë që nuk mund të bëhet nga pikëpamja juridike. Sa për sqarim, Neni 59 nuk ka të bëjë me dënimin, por është një formë e vuajtjes së dënimit, aplikimi i një formë të tillë është një formë hakmarrjeje dhe kënaqjeje të drejtësisë. Shpërdorimi i detyrës nuk është në kompetencë të kësaj gjykate. Ky vendim ishte një vendim për të njollosur Tahirin. I kishim diskutuar edhe më parë vendimet. Nëse kjo është reforma që të luftohet korrupsioni, duke futur në burg Tahirin të gjithë politikanët të vishen trashë.” – tha Haxhia.

Më herët GJKKO-ja e dënoi ish-ministrin Tahiri me 5 vite burg, po ai përfitoi nga gjykimi i shkuartuar kështu që do qëndrojë pas hekurave 3.4 vite.

Prokuroria kishte kërkuar 12 vite burg duke e akuzuar Tahirin për tre vepra penale po në fund ai nuk u dënua për asnjërën prej tyre po për shpërdorim detyre.