Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një takim me mbështetës në Njësinë 4 në Tiranë ndër të tjera foli për sulmet politike nga Sali Berisha dhe Ilir Meta ndaj tij.
Basha ftoi Berishën e Metën që akuzat t’i çojnë në SPAK.
Kryedemokrati thekoi se Berisha e Meta janë bërë bashkë sepse kanë frikë nga vettingu në politikë dhe çdo votë për Metën shkon edhe për Ramën.
“Mund të rrimë të heshtur, mund të vendosim të mos futemi në këtë betejë, mund ta lëmë Ilir Metën, që me dorën e Sali Berishës, të marrë prapë vota demokratësh t’i çojë te Ilir Meta, ky pastaj t’i çojë tek Edi Rama. Se këto janë zgjedhjet; o me demokratët për demokratët, o me Ilir Metën për Ilir Metën, që do të thotë për Edi Ramën. Të tjerat janë broçkulla. Dhe se kam fjalën vetëm për 6 marsin, e kam fjalën për gjithë iniciativat. Shikoni si bëhen bashkë kur iu cenohen interesat! E mbani mend në 2018-ën, iniciativën për vettingun politik? Sigurisht që e mbani mend. Pse në 2018-ën edhe Sali Berisha edhe LSI e firmosën dhe sot janë kundër? Pse? Pse janë kundër sot? Sot që e kanë bërë malin e akuzave kundër meje, kundër bashkëpunëtorëve të mi, më të lartë se malin e Dajtit, unë iu them merrini këto akuza, çojini në SPAK, unë i pari shkoj në SPAK, dhe bashkë me mua të vini ju të dy, Edi Rama, gjithë ministrat dhe ish-ministrat e tij, gjithë politikanët shqiptarë, dhe atje të bëhet vettingu i politikanëve. Atje të bëhet vettingu i pasurisë së çdokujt, familjeve të çdokujt, ortakëve të çdokujt dhe lidhjeve të çdokujt me botën e nëndheshme. Pse thonë jo?”-tha Basha.