Ish-drejtuesi i Vetëvendosjes në Tiranë ka thënë mbrëmjen e sotme se grupi parlamentar i Vetëvendosjes ka vendosur të heqë dorë vullnetarisht nga kompensimi që Kuvendi u jepte deputetëve automatikisht për udëtimet nëse banesa e tyre ishte jashtë Prishtinës.
Bojken Abazi sqaron se bëhet fjalë për rrethj 435 mijë euro në muaj dhe se do i propozojë kryesisë së Kuvendit rishikimin e këtyre kompensimeve. Ai sqaron që një propozim i tillë është bërë edhe në vitin 2018 por asokohe nuk janë marrë parasysh.
“Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! (LVV) po heq dorë vullnetarisht nga një kompensim për udhëtime që Kuvendi u jepte të gjithë deputetëve automatikisht nëse adresa e tyre zyrtare e banimit ishte jashtë Prishtinës. Vendimi për këtë lloj kompensimi (i cili duket se shkonte deri në shumën 435.00 Euro në muaj, për ata që banojnë më larg) ishte marrë në një legjislaturë të mëhershme në vitin 2011, jo nga LVV. Grupi i deputetëve të LVV-së do i propozojë tani edhe zyrtarisht kryesisë së Kuvendit rishikimin e këtyre kompensimeve. Vendimi erdhi pas një presioni publik në rrjete sociale dhe në media, nga qytetarët dhe nga aktivistët. Por nuk duhet harruar se deputetët e LVV-së i kanë kundërshtuar këto kompensime shtesë edhe në vitin 2018, ku kanë propozuar gjithashtu zyrtarisht në Kryesinë e Kuvendit një amendament për eliminimin e këtyre kompensimeve, që nuk është marrë parasysh nga legjislatura e asaj kohe.” – shkruan Abazi në Facebook.
Më tej ai shkruan se pas reagimit të qytetarëve dhe aktivistëve, deputetët kanë reaguar menjëherë duke theksuar se kërkesa ka premisën për më shumë barazi në shoqëri apo për të ulur përfitimet që cilësohen të tepërta për buxhetin.
“Megjithatë, qytetarët dhe aktivistët ngritën zërin sërish kësaj radhe, dhe deputetët reaguan pa u bërë 24 orë. Por le ta analizojmë pak më shtruar këtë situatë. Duke lënë mënjanë ata që nuk kanë qenë të sinqertë në këtë debat, kur shqyrtojmë kërkesën e sinqertë që u shtrua nga qytetarët dhe aktivistët kundër këtij kompensimi, apo edhe e vetë deputetëve, kuptojmë se kërkesa ka një premisë të bazuar në përpjekjen për më shumë barazi në shoqëri, ose një premisë për të ulur përfitimet që cilësohen si të tepërta dhe në kurriz të buxhetit të shtetit – ose të dyja premisat bashkë.” – shton Abazi.
Në reagimin e tij, ish-drejtuesi i Vetëvendosjes në Tiranë shkruan se deputetët që kanë shumë pasuri dhe që janë bërë të tillë duke qenë deputetë e kanë atë nga shitja e votës dhe jo nga rroga e kompensimi për naftën.
“Lë të merremi së pari me aspektin e barazisë. Në shoqëritë tona pasuria e madhe nuk vjen nga rrogat, apo nga kompensimet për transportin që marrin deputetët. Ajo vjen nga trashëgimia, nga fitimet nga biznesi, aksionet, qiratë nga pronat, apo nga aktiviteti i jashtëligjshëm, etj. Ata që kanë shumë, nuk e kanë bërë pasurinë e tyre me rroga, as me kompensimet që u jepeshin deputetëve për naftën. Deputetët që janë bërë të pasur duke qenë deputetë, nuk janë pasuruar nga rrogat dhe kompensimi për naftën, por nga shitja e votës, duke u shërbyer interesave private në dëm të interesit publik. Heqja e këtyre kompensimeve nuk rregullon sa e si duhet aspektin e rritjes së pabarazisë ekstreme në shoqëri.” – vijon Abazi.
Sipas Abazit, Vetëvendosje ka miratuar para një muaji projektligjin për ngritjen e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve. Por ai vëren se kjo gjë po kundërshtohet fort nga politikanët e vjetër.
“Qeveria e Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë hapa para për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të institucioneve duke miratuar para një muaji një projektligj. Ky është një mekanizëm që ka potencialin të korrigjojë një prej burimeve të pabarazisë ekstreme në shoqëri. Mirëpo, ky mekanizëm po luftohet nga regjimi i vjetër, deputetët e të cilit shumë më kollaj e kanë të heqin dorë nga kompensimi i naftës që u jep Kuvendi sesa nga pasuria e pajustifikuar e tyre dhe e klaneve të tyre. Sigurisht që do të ishte fitore funksionalizimi i plotë i këtij mekanizmi që nuk arrihet pa një luftë të madhe. Por edhe nëse fitohet kjo luftë, ajo nuk adreson të gjitha burimet e pabarazisë së thellë strukturore në shoqëri.” – thekson Abazi.
Ai shton më tej se trajtimi i pabarazive strukturore do trajtonte burimet e tyre që rrjedhin nga keqpërdorimi i pozitës zyrtare.
Po kështu shkruan Abazi do ketë rishikim të politikave fiskale për të rishpërndarë në mënyrë më të drejtë të ardhurat në shoqëri. Sipas tij, qeveria Kurti po shqyrton masa për zbutjen e varfërisë, përcaktimin e mimimumit jetik dhe si llogaritjen e pensioneve dhe ndihmës ekonomike duke u bazuar mbi këto baza.
Megjithatë ai shkran se pret që të ketë rezistencë nga regjimi i vjetër që kontrollon segmente të administratës e gjyqësorit.
“Trajtimi i pabarazive strukturore nënkupton edhe trajtimin e burimeve të këtyre pabarazive të skajshme përtej atyre që rrjedhin nga keqpërdorimi i pozitës zyrtare. Masa të tilla nënkuptojnë rishikimin e politikave fiskale (tatimeve) që do të mundësonin një rishpërndarje më të drejtë të të ardhurave në shoqëri. Apo edhe projekte të mëdha publike që rrisin punësimin dhe të ardhurat, përmes mekanizmave si Fondi Sovran dhe Banka Zhvillimore. Tashmë Qeveria Kurti po shqyrton projekt-idenë zyrtare të Fondit Zhvillimor, dhe ky është gjithashtu një zhvillim pozitiv. Masë tjetër për zbutjen e varfërisë do të ishte edhe sanksionimi me ligj i minimumit jetik, dhe përllogaritja e pensioneve dhe ndihmës ekonomike duke marrë për bazë këtë minimum. Duhet patur gjithnjë parasysh që të gjitha këto nuk do mund të realizohen pa një administratë dhe një sistem gjyqësor efikas dhe të pakorruptuar. Të dyja këto aktualisht janë problem i madh i trashëguar në Kosovë, dhe do ketë rezistencë nga regjimi i vjetër që kontrollon segmente të administratës dhe të gjyqësorit që pengojnë trajtimin e duhur të këtij problemi.” – vijon Abazi.
Në fund të shkrimit, ai shkruan se mënyra më e drejtë për rrogat e kompensimet e deputetëve do ishte bazuar mbi të ardhurat e pasurinë e tyre personale nga burime të tjera veç atyre shtetërore.
Sipas Abazit, deputetët që kanë të ardhura të tjera duhen paguar më pak se të tjerët. Abazi shkruan gjithashtu se deputetët duhen gjykuar edhe mbi mënyrën si votojnë e punojnë në Kuvend po edhe jashtë tij apo angazhimin me komunitetin.
“Për ta mbyllur aty ku nisi ky shkrim, nuk duhet të harrojmë se në demokracitë liberale, si në Angli, është luftuar që deputetët të marrin rrogë e kompensime, në mënyrë që të qenit deputet mos të ishtë një shërbim publik vetëm për të pasurit. Nga ana tjetër, një mënyrë më e drejtë për rrogat dhe kompensimet e deputetëve do të ishte bazuar mbi pasurinë dhe të ardhurat e deputetëve përtej të ardhurave që marrin si deputetë. Pra, ata deputetë që kanë të ardhura të tjera (trashëgimi, biznese, aksione, qira nga pronat, etj) mbase do duhej të pagueshin e të kompensoheshin proporcionalisht më pak se deputetët që nuk kanë asnjë të ardhur tjetër. Deputetët duhen gjykuar mbi të gjitha edhe mbi mënyrën se si votojnë e punojnë në seanca plenare e në komisione në shërbim të interesit publik, dhe gjithashtu si e sa angazhohen me komunitetin edhe jashtë Kuvendit. Mund të ishte më e drejtë që këto rroga dhe kompensime për deputetët në fund të lidheshin edhe me pagën minimale ose mesatare (ta zëmë 3-4 hërë më shumë se paga mesatare e vendit) në mënyrë që deputeti mos të ishte shumë i shkëputur as financiarisht nga elektorati që përfaqëson, e që deputeti të shtyhet edhe më shumë të punojë për të rritur mirëqënien e të gjithëve, veçanërisht të atyre që janë më shumë në nevojë.” – mbyll reagimin Abazi.