Vendosni fjalën kyçe....

Erdogan akuzon Perëndimin: Po e bëjnë krizën Rusi-Ukrainë “më të rëndë”


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan akuzoi Perëndimin se po e bën krizën Rusi-Ukrainë “më të rëndë”.

Ai po ashtu kritikoi qasjen e presidentit amerikan Joe Biden për këtë çështje, në komentet e tij të publikuara nga mediat lokale.

“Për fat të keq, Perëndimi deri më tani nuk ka dhënë asnjë kontribut në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Mund të them se ata vetëm po i përkeqësojnë gjërat,” u tha Erdogan gazetarëve derisa po kthehej nga Ukraina, duke shtuar se presidenti amerikan Joe Biden “ende nuk ka qenë në gjendje të tregojë një qasje pozitive”.

Ndërkohë që diskutimet për krizën Ukrainë – Rusi janë ngritur në nivelin më të lartë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është duke qëndruar në Kinë, ku ka marrë përkrahje nga udhëheqësit e këtij shteti.