Vendosni fjalën kyçe....

Policia arreston noteren në Tiranë, në nëntor 2021 i vunë tritol në makinë


Rezarta Koçi

Një notere është arrestuar në Tiranë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.

Shtetasja Rezarta Koçi 40 vjeç dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës si notere, në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Noterja”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Vihet në pranga një 40-vjeçare me detyrë notere, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në kuadër të një pune policore dhe procedurale të pandërprerë disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Noterja”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetases:

– R. K., 40 vjeçe, me detyrë notere, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo shtetase, gjatë ushtrimit të detyrës si notere, në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Kallëzimet e njëpasnjëshme

Në korrik të vitit 2019, Rezarta Koçi është kallëzuar penalisht nga I. Ç., për shpërdorim detyre dhe mashtrim, duke pretenduar se i ka përvetësuar një shumë parash, në lidhje me një pasuri të llojit hotel. Ky shtetas, bashkë me noteren, ka kallëzuar edhe Urim Pepën.

Në maj të vitit 2021, E. N. ka kallëzuar penalisht ka kallëzuar penalisht 40-vjeçaren Rezarta Koçin për fshehje të ardhurash dhe mashtrim, duke pretenduar se i ka përvetësuar një shumë parash, për një kontratë për shitje të një pasurie të paluajtshme. Në qershor 2021, një tjetër person me inicialet E. Q., ka kallëzuar penalisht Rezarta Koçin për fshehje të ardhurash, mashtrim dhe mospagim taksash, duke pretenduar gjithashtu se i ka përvetësuar një shumë të konsiderueshme parash.

Në 9 korrik të këtij viti, për Rezarta Koçin është depozituar në prokurori një tjetër kallëzim penal, sërish për mashtrim dhe përvetësim parash. Kallëzimi i fundit është bërë nga një shtetase me inicialet P. Z.

Tritoli në makinë

Një sasi lënde plasëse iu vendos makinës së noteres Rezarta Koçi në 5 nëntor 2021 në Tiranë. Makina Range Rover ndodhej e parkuar në zonën e Komunës së Parisit, kur shpërtheu./Hashtag.al