Vendosni fjalën kyçe....

Të ardhurat në Portin e Durrësit më 2021, tejkalojnë më 48% vitin 2019


Volumet e larta të përpunimit të mallrave në Portin e Durrësit gjatë vitit 2021 çuan në rritjen e të ardhurave të Portit me ritme të larta si me vitin 2020 ashtu edhe me periudhën para pandemisë.

Sipas të dhënave Zyrtare nga Autoriteti Portual, të ardhurat më 2021 kanë arritur në  2,8 miliardë lekë ose 48%  më shumë se 2019 dhe 12% më shumë se ne 2020.

Fitimi para tatimit  është rritur me 26.55%, po krahasuar me vitin 2020. Përpunimi i mallrave në Portin e Durrësit gjatë vitit 2021 ka njohur rritje të ndjeshme, duke arritur pothuajse në kufijtë e shfrytëzimit maksimal të kapaciteteve përpunuese  që ky port ofron në kushtet aktuale, atë të 5 milionë tonë/vit.

Referuar të dhënave zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës, gjatë periudhës  janar- dhjetor 2021 në Portin më të madh në vend janë përpunuar 4,438,611 tonë mallra, 9% më shumë se në vitin 2019, përpara pandemisë.

Sipas të dhënave statistikore të APD-së, aktiviteti përpunues në të 4 terminalet portuale është rritur krahasimisht me vitin 2020, kur ishin prezente masat kufizuese anti-Covid, por edhe me të njëjtën periudhë të vitit 2019-të dhe atë 2018-ës, që respektivisht kanë rezultuar në bilance vjetore me : 3,881,976 tonë (2020), 4,072,543 tonë (2019), 3,614,606 tonë (2018).

Burimet zyrtare pohuan se mirëadministrimi i të ardhurave, likuiditeteve dhe shërbimeve janë disa prej  indikatorëve që kanë ndikuar në këtë performancë financiare të një prej kompanive shtetërore më të mëdha në vend.

Divizioni i Financës dhe Administrimit në Autoritetin Portual Durrës bën të ditur se ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë performancë ekonomiko-financiare janë:

Politika tarifore të adaptuara me tregun rajonal dhe Europian;

Mirëadministrimi i shërbimeve në Terminalin e Konteinerëve;

Mirëmenaxhimi i likuiditeteve ndërthurur dhe me menaxhimin rigoroz të debitorëve duke siguruar një rritje të arkëtimeve;

Ulja e nivelit të humbjeve për shpenzime në ujë dhe energji për subjektet të cilët operojnë në territorin e APD-së;

Mirëadministrimi i të ardhurave përkundrejt shpenzimeve në lekë dhe valutë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor