Banorët e Laprakës, Paskuqanit e ‘5 Majit’ kanë paralajmëruar një protestë para kryeministrisë nesër në orën 12:00.
Qindra familje kundërshtojnë prishjen e banesave që janë parashikuar për procesin e rindërtimit në zonën e ‘5 Majit’ dhe Unazën e Madhe në Laprakë e Paskuqan.
Ditën e djeshme banorët e Paskuqanit zhvilluan një protestë duke bllokuar rrugën për rreth një orë.
Banorët e Laprakës, Paskuqanit e 5 Majit, i kërkojnë qeverisë e bashkisë Tiranë dëmshpërblim të drejtë, proces transparent e të rregullt ligjor për sa u përket shkatërrimit të pronës së tyre dhe asaj që u është premtuar në letër.
Ata protestojnë prej disa javësh tashmë duke zhvilluar dy protesta para parlamentit.
Në zonën e 5 Majit procesi i prishjes së ndërtesave ka nisur që prej dy javësh ndërsa shumë shpejt pritet që kjo të ndodhë edhe me Laprakën dhe Paskuqanin.