Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Tahiri i pari në listën e atyre që do përballen me ligjin, Rama sot duhet të ishte nën hetim (Video)


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së ka deklaruar sot se ish-ministri Tahiri është vetëm i pari në listën e gjatë të atyre që do përballen me drejtësinë për krimet, korrupsionin e trafiqet që me kryeministrin Rama në krye e kanë shndërruar vendin në Kolumbinë e Europës.

Ai ka publikuar një video në Facebook ku shkruan se Rama e mbrojti Tahirin për shkak se është vetë i zhytur dhe i kapur kokë e këmbë nga krimi.

“Saimir Tahiri nuk është i fundit, ai është vetëm i pari në listën e gjatë të atyre që do të përballen me drejtësinë për krimin, korrupsionin e trafiqet që me Ramën në krye e shndërruan Shqipërinë në Kolumbinë e Europës dhe vendin më të korruptuar në Europë. Edi Rama mbrojti Saimir Tahirin sepse është edhe vetë i kapur ‘kokë e këmbë’ nga krimi. Edi Rama nuk thotë dot asnjë fjalë sepse ai e di që të gjitha fijet e krimit dhe trafiqeve lidhen te ai. Ai kishte të gjithë informacionin nga institucioent shqiptare dhe partnerët, por e mbrojti Sajmir Tahirin dhe ministrat e tjerë të tij sepse ishte ai garanti i krimineleve të cilet i siguronin vota.” – shkruan Bardhi.

Numri dy i selisë blu shton më tej se nëse do kishte drejtësi të pavarur, Rama s’do ishte kryeministër por nën hetim për kanabizimin e vendit, korrupsionin, incineratorët e korrupsionin.

Bardhi e mbyll reagimin e tij duke thënë se PD-ja është në mbështetje të SPAK-ut duke e nxitur të veprojë ndaj kujtdo që ka shkelur ligjin.

“Me një drejtësi të pavarur Rama sot nuk do të ishte kryeministër po do të ishte më e pakta nën hetim për kanabizimin e Shqipërisë, korrupsionin, kriminalizimin e shtetit, inceneratorët etj. Ska asnjë dyshim që Rama do bënte të njëjtën gjë për reformën në drejtësi sepse kështu ai shpreson të fitojë amnisti për veten e tij. PD ka qenë dhe është në mbështetje të plotë të SPAK dhe pret që ajo të veprojë me vendosmëri e pa u ndalur ndaj kujdo që ka shkelur ligjin dhe e ka shndërruar Shqipërinë në vendin më të korruptuar të Europës, në vendin ku kriminelët që duhet të ishin në burg, janë në qeverisje të vendit.” – mbyll reagimin Bardhi.