Vendosni fjalën kyçe....

Ura historike në Rotterdam mund të çmontohet për të kaluar jahti superluksoz i Jeff Bezos-it


Rotterdami po shqyrton një kërkesë për të çmontuar një pjesë të urës historike të Rotterdamit, për të lejuar të kalojë një jaht në pronësi të themeluesit të Amazon, Jeff Bezos.

Siç shkruan CNN, qyteti holandez ka marrë një kërkesë nga një ndërtues lokal anijesh për të hequr seksionin qendror të urës historike Koningshaven në mënyrë që një superjaht të mund të largohet nga kantieri detar ku po ndërtohet.

Zyrtarët e Rotterdamit thanë se ndërtuesi i anijeve duhet ende të aplikojë për një leje. Qyteti tha se do të konsideronte ruajtjen e strukturës së urës së bashku me ndikimin në mjedis dhe ekonominë lokale që mund të ketë çmontimi i saj, përpara se të miratonte lejen.

Ndërtuesi i anijeve do të duhet të paguajë për çmontimin e urës. Restaurimi i urës Koningshaven, e njohur për vendasit si “De Hef”, përfundoi në vitin 2017 dhe zyrtarët komunalë premtuan asokohe se ajo nuk do të çmontohej më kurrë, sipas transmetuesit publik holandez Rijnmond.

Oceanco po ndërton një anije 127 metra të gjatë të njohur si Y721 në Rotterdam, sipas Boat International. Anija, e cila ka tre direkë, do të jetë jahti më i lartë me vela në botë kur të përfundojë në fund të këtij viti.

Superjahti është porositur nga Bezos, sipas mediave holandeze dhe gazetarit Brad Stone, i cili raportoi në librin e tij “Amazon Unbound” vitin e kaluar se planet e ardhshme të miliarderit përfshijnë një anije 127 metra që po ndërtohet nga kantieri Oceanco. Bezos është personi i tretë më i pasur në botë, me një pasuri neto prej 164 miliardë dollarësh, sipas Bloomberg. Lajmi se një urë historike mund të duhet të çmontohet në emër të tij ka zemëruar disa banorë të Rotterdamit.