Vendosni fjalën kyçe....

Barcelona mposht Atletico Madridin


Barcelona e ka mposhtur 4:2 Atletico Madridin të dielën për herë të parë në tri vitet e fundit në La Liga, duke u futur në top katërshe për herë të parë këtë sezon.

Në atë që ishte një luftë e drejtpërdrejt për top katërshe në La Liga, Barça e mbizotëroi plotësisht kampionin në fuqi në Camp Nou, pavarësisht se luajti me një lojtar më pak në 20 minutat e fundit pas përjashtimit të Dani Alvesit.

Barcelona tani ngjitet në vendin e katërt me 38 pikë, dy pikë më pak se Betisi në vendin e tretë dhe dy më shumë se Atletico.

Por ishte Atletico ajo që e nisi ndeshjen për së mbari, kur Yannick Carrasco shënoi për 1:0 për skuadrën e Diego Simeones në minutën e 8-të.

Reagimi i Barçës, megjithatë, ishte i menjëhershëm, pasi Jordi Alba e barazoi rezultatin në 1:1 vetëm dy minuta më vonë, duke e mposhtur Jan Oblakun me një goditje pas asistit nga Dani Alves.

Gavi e kaloi skuadrën e Xavit në epërsi për herë të parë në ndeshje, kur shënoi me kokë nga afërsia pas një harkimi nga Adama Traore, i cili debutoi titullar pasi iu bashkua Barçës nga Wolves këtë muaj.

Ronald Araujo e dyfishoi epërsinë e katalonase dy minuta para pushimit mes pjesëve.

Dani Alves e mposhti portierin Jan Oblak me një goditje të fuqishme brenda zonës, pas një topi të kthyer, duke e çuar në 4:1 epërsinë e Barçës me golin e tij të parë pas kthimit në klub.

Pierre-Emerick Aubameyang debutoi nga stoli për Barçën kur e zëvendësoi Traotren në minutën e 61-të.

Luis Suarez i dha një fije shprese Atleticos duke shënuar për 4:2 në minutën e 58-të kundër ish-klubit. Uruguaiani nuk festoi dhe iu kërkoi falje katalonasve.

Alvesi ia prishi vetes një kthim madhështor në Camp Nou, kur u përjashtua me karton të kuq për ndërhyrje jo sportive ndaj kundërshtarit në minutën e 69-të.

Barcelona ia doli ta ruajë epërsinë prej dy golave në 20 minutat e mbetur, pavarësisht përjashtimit të Alvesit.

Kjo ishte hera e parë që Barça i fiton dy ndeshje radhazi këtë sezon.