Këtë të dielë ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar në një takim me qytetarët në Sukth kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” për bashkinë e Durrësit, Ardian Muka.
Pavarësisht se Berisha kishte premtuar se nuk do të sulmonte asnjë nga kandidatët e PD-së, ai e theu premtimin duke përmendur kandidatin Luan Hoti. Ai tha se Hoti i kishte dyert e hapura për të kandiduar në Primare, por ai nuk pranoi duke zgjedhur të vendoset krah Bashës.
“Ne vijmë këtu me një kandidat që është historia pozitive e qytetit tuaj, është bërë një biznesmen i nderuar, nuk i është nënshtruar presioneve të mafies e qeverisë.
I besoj plotësisht atij sepse e zgjodhët ju, asnjë kandidat në primaret që u zhvilluan më datë 30 janar, nuk erdhi absolutisht asnjëri nga komisioni, kryesia apo Berisha, që të gjithë dolën nga ju, u votuan nga ju.
Ju siguroj unë se dyert për primare ishin të hapura plotësisht edhe për Luan Hotin, por Luan Hoti nuk e donte votën, kishte frikë nga vota juaj. Por ne jashtë votës tuaj nuk e emëronim dot kurrë.
Në vend se të testohej në primare, zgjodhi të jetë kandidat i Lul Bravës.
Ndaj edhe u ftoj juve këtu, ftoj të gjithë banorët e kësaj treve, të rrethit të Durrësit, më 6 mars çdo votë për kandidatin e Shtëpisë së Lirisë, Ardian Mukën, vota për kandidatin e Edi Ramës dhe peshkaqenit më të madh që ka parë gjiri i Durrësit ndonjëherë, Gjush Dakos, është vota më e humbur, drejt të shkuarës, për varfërinë. Ju lutem asnjëri mos t’i lejojë vetes një gabim të tillë, kurse vota për kandidatin e Lul Bravës është absolutisht votë për Edi Ramën dhe pushtetin e tij. Pa asnjë dyshim.
Lulzim Basha e di se çfarë diskreditimi ekstrem ka pësuar ai. Në historinë politike të Europës nuk gjen kurrë një kryetar partie që të ketë pritur me gaz anëtarët e partisë së tij, të cilët 3 muaj më parë e kishin votuar dhe 8 vite kishin derdhur lumenj djerse për suksesin e tij. Nuk duhet të harroni, vota për Lul Bravën është njëlloj sikur ta hedhësh në një pus të zi. Po pse? Sepse është vetëm humbës.
Në 30 vite hyri dhe po del si humbës. Ai është Lul Brava. Ndaj edhe thirrja ime vëllazërore është: Çdo votë për Ardi Mukën, kandidatin e koalicionit të fitores. Ju ftoj të votoni jo vetëm për dinjitetin tuaj, por dhe për patriotizmin tuaj. Nuk mund të ndërtohet Shqipëria kurrë nga njerëz që nuk e duan.”– u shpreh Berisha.
Kujtojmë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e la jashtë Kolicionit “Shtëpia e Lirisë” Berishën, por kjo siç duket nuk e ka penguar atë që të nisë sot fushatën elektorale për zgjedhjet e 6 marsit në Durrës.