Vendosni fjalën kyçe....

Berisha thirrje kosovarëve të Durrësit të votojnë kandidatin e tij: Armiku numër një i Kosovës pas Enver Hoxhës është Edi Rama, Basha apatrid


Ish-kryeministri Sali Berisha dha një mesazh për qytetarët e Kosovës në Durrës, në takimin e mbajtur sot për prezantimin e kandidatit të “Shtëpisë së Lirisë” Ardi Muka.

Berisha tha se pas Enver Hoxhës, kryeministri Edi Rama është armiku numër një i Kosovës, i cili sipas tij ka blerë me para heshtjen e Bashës. Ish-kryeministri e cilësoi kryedemokratin Lulzim Basha si njeri pa shtet në qëndrimet e tij politike.

Ai iu bëri thirrje kosovarëve në Durrës, ku ka një komunitet të madh, për të votuar kandidatin Muka.

 “Nuk mund të ndërtohet Shqipëria kurrë nga njerëz që nuk e duan. E ndërtojnë burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat që e duan atë. Çfarë po ndodh sot. Sot Edi Rama e ka shndërruar Shqipërinë në një vasal të Beogradit. Kam biseduar me shumë fermerë. Që të gjithë rrëqethen para idesë së Ballkanit të Hapur sepse do të thotë konkurrenca më pandershme. Në Shqipëri, në mënyrën më fatkeqe, fermerët kanë filluar të therin lopët sepse nuk përballojnë dot qumështin serb, që prodhohet me subvencione të mëdha, këtu nuk jepet asnjë qindarkë.

Në 2013 Shqipëri tejkaloi nevojat e veta për qumësht dhe vezë dhe filloi të eksportojë, sasi jo të pakët sepse kishin një mbrojtje të merituar prodhimet tona. Por të kundërtën për Ballkanin e Hapur… do të më thoshte një ndërtues, mirë shumë për ‘Ballkanin e Hapur’, pse i thashë mirë shumë, sepse shes apartamente. Për hir të tij, nuk mund të shkatërrojmë një Shqipëri të tërë bujqësore sepse tokë nuk kemi hsumë, por e kemi të klasit më të lartë. Dhe në rrafshin politik, Ballkani i Hapur është vasalitet ndaj Serbisë dhe influencë e Rusisë.

Iu bëj thirrje banorëve të Durrësit, u bëj thirrje banorëve të Katundit të Ri, të Rrashbullit  dhe kosovarëve kudo ku janë, se pas Enver Hoxhës, armiku numër një i Kosovës është Edi Rama, i cili ka blerë me para heshtjen e Lul Bravës, i cili thotë njëherë se i kam rrënjët në Kosovë, njëherë në Dibër, por në fakt në qëndrimet politike paraqitet apatrid (pa shtet) njësoj si Edi Rama. Stop me Edi Ramën! Mjaft me Edi Ramën! Boll me Edi Ramën! Më 6 mars nuk votoni vetëm për Ardi Mukën, votoni për ata qindra mijëra, të rinj e të reja që morën rrugët e Europës. Votoni për diasporën shqiptarë. Është një votë sa lokale, aq kombëtare. Është një votë sa individuale, sa e rëndësishme për mbarë kombin shqiptar.”- deklaroi Berisha.