Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania mund të dërgojë trupa shtesë në Lituani


Kancelari gjerman Olaf Scholz sinjalizoi të dielën se ishte i hapur për dislokimin e më shumë trupave në Lituani për të forcuar krahun lindor të NATO-s në përgjigje të një grumbullimi të trupave ruse pranë kufijve të Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar tashmë rreth 3,000 trupa shtesë për të forcuar praninë e NATO-s në Poloni dhe Rumani në përgjigje të drojës së një pushtimi rus të ish-republikës sovjetike.

“Ne jemi gati të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të forcuar grupin e betejës të udhëhequr nga Gjermania në Lituani”, tha Kancelari Scholz në një intervistë për kanalin televiziv ARD pak para se të nisej drejt Uashingtonit për një takim me Presidentin Joe Biden.

Udhëheqësi gjerman tha se këtë çështje do ta diskutonte me krerët e tre shteteve baltike, të cilët do takohen të enjten në Berlin me Kancelarin Scholtz, raporton VOA.

Por zoti Scholtz përjashtoi edhe një herë mundësinë e dërgimit të armëve në Ukrainë për shkak të politikës së Berlinit për të mos dërguar armë në zonat e konfliktit, një qëndrim i rrënjosur në historinë e përgjakshme gjermane të shekullit të 20-të.

NATO-ja dislokoi katër njësi luftarake shumëkombëshe me rreth 5000 trupa në Poloni, Lituani, Letoni dhe Estoni si përgjigje ndaj aneksimit të Krimesë nga Moska në vitin 2014.

Këto të ashtuquajtura grupe luftarke të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Kanadaja dhe Britania, kanë për qëllim të pengojnë një sulm në rajon deri në mbërritjen në vijën e frontit të trupave shtesë të aleancës.

Kancelari Scholz tha se kishte vënë re një lloj përmirësimi të tensioneve mes Perëndimit dhe Rusisë me një rritje të dialogut qoftë midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë apo në bisedimet e Normandisë midis Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Ukrainës.