Policia e Lushnjës thotë se ka parandaluar një ngjarje kriminale në fshatin Dushk të Lushnjës, ku një 41-vjeçar, ka kanosur dhe ka qëlluar me armë zjarri drejt nënës së tij.
I dyshuari Edmond Kadiu është vënë në pranga nga uniformat blu, ndërsa janë shpallur në kërkim dy shokët e tij, pasi gjatë kontrollit në banesë atyre iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe lëndë narkotike.
INFORMACIONI I POLICISË
Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Dushk, një shtetas ka kanosur për të vrarë nënën e tij si edhe ka gjuajtur me armë zjarri në oborrin e banesës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnje, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
41-vjeçari E.K, porsa ka parë shërbimet e Policisë është larguar menjëherë, por pas ndjekjes nga shërbimet e Policisë është lokalizuar në një lokal në fshatin Dushk, Lushnjë, dhe falë ndërhyrjes me profesionalizëm, u bë neutralizimi në kohë i tij dhe sekuestrimi i armës së zjarrit pistoletë me fishekë në fole gati për qitje dhe një krëhër me fishekë luftarak.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia, u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit A. Z., me të cilën autori shoqërohej. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. Z., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, 46 fishekë luftarak dhe një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa e ndarë në 31 doza.
Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. K., 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Kanosja”, si edhe shpallën në kërkim dhe po punojnë për kapjen e shtetasit A. Z., 65 vjeç, banues në Dushk, Lushnjë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.