Pas përfundimit të seancës në Gjykatë Kushtetuese, këshilltari i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishaj thotë se do t’i drejtohen prokurorisë, për çështjen e manipulimit të provave nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.
“Seanca gjyqësore e iniciuar në mënyrë krejtësisht të padrejtë dhe të panevojshme nga Kuvendi i Shqipërisë, për fat të keq u provua edhe sot se Kuvendi në përmbushje të qëllimeve politike edhe së fundmi depozitoi prova të manipuluara, vetëm e vetëm me qëllimin që të rrëzohen pretendimet e kreut të shtetit. Dhe kur kjo ndodh nga Kuvendi i Shqipërisë në një proces kaq të rëndësishëm si shkarkimi i Presidentit të Republikës, imagjinoni çfarë mund të mendojnë ne si qytetarë të republikës se çfarë ndodh në organet e tjera, por që trajtojnë të drejta themelore si ajo e pronës, etj, etj.
Presidenti ka vendosur t’i drejtohet Prokurorisë lidhur me këtë çështje. Ashtu sikundër është në të drejtën e Kuvendit që të fillojë një procedurë hetimore parlamentare për këtë shkak që ne evidentuam përpara Gjykatës. Ashtu sikurse është edhe e drejta e gjykatës të marrë një vendim por që të jetë i bazuar në kushtetutë dhe ligj.”- tha Dervishaj.