Vendosni fjalën kyçe....

“E gjithë vëmendja te Covid-19, BE përballet me një milion raste të padiagnostikuara me kancer” – Von der Leyen


Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka thënë se 100 milionë teste depistimi të kancerit nuk janë kryer për shkak të ndikimit të pandemisë Covid në shërbimet shëndetësore, duke vonuar diagnozat dhe referimet për trajtim në të gjithë kontinentin.

“Kjo do të thotë se rreth një milion raste mund të jenë të padiagnostikuara në Evropë,” pohoi shefja e Komisionit Evropian.

Von der Leyen ka njoftuar se BE-ja do të nisë një regjistër të pabarazisë së kancerit për të adresuar normat e ndryshme të vdekjeve në të gjithë bllokun, si pjesë e veprimit për të zvogëluar ndikimin në rritje të sëmundjes.

“Do të identifikojë tendencat e pabarazitë midis shteteve anëtare dhe rajoneve, në mënyrë që të mund të ofrojmë më mirë mbështetjen tonë,” deklaroi von der Leyen, pasi zyrtarët parashikojnë se vdekjet nga kanceri mund të rriten deri në një të tretën deri në vitin 2040.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka identifikuar kancerin si një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë në rajonin evropian, që përbën më shumë se 20% të të gjitha vdekjeve. Në vitin 2020, 2.7 milionë njerëz u diagnostikuan me kancer në të gjithë BE-në, ndërsa 1.3 milionë vdiqën nga sëmundja.

Duke folur përpara Ditës Botërore të Kancerit, Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën Dr. Hans Kluge pohoi se shqyrtimi, diagnostikimi dhe trajtimi i kancerit ‘vuajtën në një mënyrë të paprecedentë pasi shërbimet shëndetësore kanë luftuar për t’iu përgjigjur pandemisë Covid-19’.

Duke cituar të dhëna zyrtare në të gjithë rajonin evropian nga dy vitet e fundit, Kluge theksoi se si diagnoza e tumoreve invazive ra me 44% në Belgjikë, depistimi kolorektal ra me 46% në Itali dhe diagnozat e kancerit ishin 34% më të ulëta se sa pritej në Spanjë.