Vendosni fjalën kyçe....

Miliarderi thotë se SHBA-ja është në ‘rrugën klasike’ drejt Luftës Civile


Themeluesi i fondit më të madh mbrojtës në botë ‘Bridgewater Associates’, Ray Dalio, ka paralajmëruar se SHBA-ja është në ‘rrugën klasike’ drejt ‘një lloj forme’ të një lufte civile.

Kushtet e tanishme financiare dhe dallimet e papajtueshme në dëshirat dhe vlerat janë në përputhje me përbërësit që çojnë në konflikte civile, sipas tij.

“Të mos dish se çfarë është e vërtetë për shkak të shtrembërimeve në media dhe propagandës në rritje ndërsa njerëzit polarizohen, emocionalizohen dhe motivohen politikisht”, shkroi Dalio në LinkedIn.

Ai vuri në dukje një sërë faktorësh që e çuan atë në këtë përfundim, duke përfshirë deficitet e mëdha, taksat e larta, inflacionin dhe pabarazinë e pasurisë që sjellin polarizimin politik.

“Kur kjo ndodh në të njëjtën kohë kur ka fuqi të huaja që po bëhen mjaft të forta duke sfiduar fuqinë kryesore botërore që po përballet me këtë dinamikë të luftës civile, është një periudhë veçanërisht e rrezikshme. Kjo është periudha në të cilën besoj se jemi tani”, theksoi Dalio.

Ai vuri në dukje se fuqitë politike nga palët kundërshtare po ‘luftojnë për të fituar me çdo kusht’, duke e bërë të pamundur kompromisin dhe duke i lënë shumë njerëz të frikësuar.

“Historia tregon se rreziku më i madh për demokracitë është se ato prodhojnë vendimmarrje kaq të fragmentuara dhe antagoniste, saqë ato janë të paefektshme dhe të çrregullta, gjë që çon në rezultate të këqija dhe revolucione.”

Dalio parashikon se zgjedhjet e këtij viti do të bëhen pika kthese për politikën e brendshme të SHBA.

Kjo nuk është hera e parë që Dalio shpreh parashikime të tilla ‘të tmerrshme’. Në nëntor të vitit të kaluar ai botoi një libër ‘Parimet për trajtimin e rendit botëror në ndryshim: Pse kombet kanë sukses dhe dështojnë’, ku ai paralajmëroi gjithashtu për një ‘rrezik të lartë’ të një lufte civile në SHBA brenda 10 viteve të ardhshme për shkak të ‘sasisë së jashtëzakonshme e polarizimit’.