Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori gjerman: Qeveria dhe opozita kanë përgjegjësi të përbashkët, duhet të zgjatet mandati i organeve të Vettingut


Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, ka një thirrje për maxhorancën dhe opozitën shqiptare që të zgjasin mandatin e organeve të Vettingut.

Në një postim në rrjetet sociale, Zingraf shprehet se ato kanë përgjegjësinë e përbashkët për të rritur sundimin e ligjit. Ai e konsideron këtë shumë të rëndësishme për vendin tonë dhe rrugëtimin e tij drejt BE-së.

“Procesi i reformave në sektorin e drejtësisë është vendimtar për aspiratat e Shqipërisë lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Verifikimi i gjykatësve dhe prokurorëve është një element kyç në këtë kontekst.

Ndaj për vendin është shumë e rëndësishme që mandati i institucioneve të pavarura dhe përgjegjëse të vetingut, i cili përfundon në qershor, të zgjatet, në mënyrë që procesi i verifikimit të përmbyllet sa më shpejt. Qeveria dhe opozita kanë përgjegjësinë e përbashkët për të rritur sundimin e ligjit duke u mundësuar kështu qytetareve dhe qytëtarëve shqiptarë të ecin më tej në rrugën drejt Bashkimit Evropian.”- thotë ambasadori Zingraf.