Avokati i ish-ministrit Tahiri ka deklaruar se gjykata nuk kishte asnjë provë në vendimin e marrë për dënimin e tij.
Maks Haxhia hodhi hije dyshimi se gjatë kohës kur gjyqtarët kanë shkuar në dhomën e këshillimit, ka ndodhur diçka që ka ndikuar në vendimin e tyre.
“Në gjithë materialin e dosjes nuk kishte asnjë provë që të vërtetonte çdo lloj akuze. Pse do ta dënonte? Këtë pyetje ja kemi bërë vetes. Unë them që ky vendim nuk është rrjedhojë. Në parantezë, të 3 ata gjyqtarë janë shumë të mirë, e njihnin dosjen në detaje, por vendimi nuk është i bazuar në atë çka ata e kanë bindje. Për mua ka ndodhur diçka në momentin që janë mbledhur në dhomën e këshillimit. Unë mendoj që atje ka ndodhur diçka. Unë nuk jam profet, por unë analizoj. Ne prisnim maksimumi të ishte vendimi që u dha në Shkallën e Parë, me shërbimin e provës, por unë mendoj dhe jam i bindur, dhe e kam të provuar se ata që ndikuan, i dolën të keqes përpara. Nuk e di kush ka ndikuar. Gafa më e madhe që është bërë në këtë proces është që kur bën ankim i pandehuri dhe nuk ka ankim të palës tjetër, gjykata nuk mund të rëndojë pozitën e të pandehurit. Prokuroria kërkoi 12 vjet për 3 akuza për të cilat ishte dhënë pafajësia nga Gjykata e Shkallës së Parë. Ankimi në apel nuk është bërë fare për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.” – tha Haxhia në studion e Opinion.
Po kështu ai rrëfeu edhe bisedën që bëri me Tahirin gjatë kohës kur po prisnin që gjykata të jepte vendimin.
“I kam thënë që, Saimir këta po shoh që kanë organizim të veçantë dhe persona që s’ishin të zakonshëm në vendimmarrje. Prandaj nëse do të ikësh të marrësh masa, që të vesh në shtëpi të përgatitesh, mund të shkosh. Më tha mua, unë jam përgatitur me kohë që kur fillova luftën. Ai ma ka bërë të qartë që unë nuk i lëviz vendimit. Unë i thashë ik në shtëpi që të përgatitësh ata të shtëpisë që dhe të përgatitesh për të bërë ekzekutimin e vendimit, sepse nuk e imagjinoja kurrë që të devijohej vetëm për Saimir Tahirin dhe të bëhej ekzekutimi menjëherë pas vendimit.” – shtoi Haxhia.