Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se tentuan të pastronin kriptomonedha me vlerë 4.5 mld dollarë, arrestohen dy persona


Dy persona u arrestuan mëngjesin e sotëm në Manhatan për një komplot të dyshuar për pastrimin e kriptomonedhave që u vodhën gjatë hakimit të vitit 2016 të Bitfinex, një shkëmbim monedhash virtuale, aktualisht me vlerë rreth 4.5 miliardë dollarë. Deri më tani, organet ligjzbatuese kanë sekuestruar mbi 3.6 miliardë dollarë në kriptomonedhë të lidhur me atë hakim.

Arrestimet e sotme dhe sekuestrimi më i madh financiar, tregojnë se kriptomonedhat nuk janë një strehë e sigurt për kriminelët”, tha Zëvendës Prokurorja e Përgjithshme Lisa O. Monaco.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Lichtenstein dhe Morgan dyshohet se komplotuan për të pastruar të ardhurat e 119,754 bitcoin që u vodhën nga platforma e Bitfinex pasi një haker depërtoi sistemet e Bitfinex dhe nisi më shumë se 2,000 transaksione të paautorizuara. Këto transaksione të paautorizuara dërguan bitcoin-in e vjedhur në një portofol digjital nën kontrollin e Lichtenstein.

Gjatë pesë viteve të fundit, rreth 25,000 nga ato bitcoin të vjedhura u transferuan nga portofoli i Lichtenstein përmes një procesi të ndërlikuar të pastrimit të parave që përfundoi me depozitimin e disa prej fondeve të vjedhura në llogaritë financiare të kontrolluara nga Lichtenstein dhe Morgan. Pjesa e mbetur e fondeve të vjedhura, që përfshin më shumë se 94,000 bitcoin, mbeti në portofolin e përdorur për të marrë dhe ruajtur të ardhurat e paligjshme nga hakimi. Bitcoin i rikuperuar vlerësohej në mbi 3.6 miliardë dollarë në kohën e konfiskimit.