Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe Universiteti i Tuscia në Itali, firmosën marrëveshjen për krijimin e Masterit të Dyfishtë në fushën e Marketingut. Studentët që përfundojnë studimet në këtë program do të pajisen me dy diploma, të cilat njihen edhe në itali.
Kjo marrëveshje u firmos nga Rektori i UMSH Prof. Adrian Civici dhe Rektori i Tuscia Prof. Stefano Ubertini në mjediset e UNITUS, Viterbo Itali.
Kjo marrëveshje është fryt i punës prej mëse gati një viti ku ekipet përkatëse nga të dy universitet punuan për arritjen e kësaj marrëveshjeje.
Ekipi i punës nga UMSH u drejtua nga Zv. Rektori Prof. Niko Pano dhe Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë Elton Skendaj, të cilët morën pjesë në këtë ceremoni.
Marrëveshja parashikon se studentët që do të ndjekin këtë Master do të marrin në përfundim dy diploma, një nga UMSH dhe një nga UNITUS. Po kështu, studentët nga UMSH që do të ndjekin këtë Master, një vit do ta ndjekin në Tiranë dhe një vit në Viterbo Itali, do të kenë mundësinë të përfitojnë edhe një bursë mujore prej 850 euro në muaj.
Ceremonia e firmosjes së marrëveshjes midis UMSH dhe UNITUS u zhvillua gjatë takimit të organizuar në Viterbo nga UNITUS midis rektorëve të universiteteve të Lazios dhe të Tiranës, falë inciativës së Rektorit të UNITUS Prof. Stefano Ubertini i cili është njëkohësisht edhe President i Rektorëve të Konferencës së Rektorëve të Rajonit të Lazios.
Në këtë takim morën pjesë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Z. Edi Rama, Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Italisë Znj. Maria Cristina Messa, Ministria e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë Znj. Evis Kushi, drejtues të lartë të Ministrisë Italiane të Shkencës.