Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau thotë se protesta e kamionistëve që ka paralizuar kryeqytetin Otava “duhet të ndalet”.
“Kanadezët kanë të drejtë të protestojnë, të mos pajtohen me qeverinë e tyre dhe që zërat e tyre të dëgjohen. Ne gjithmonë do ta mbrojmë atë të drejtë. Por le të jemi të qartë: ata nuk kanë të drejtë të bllokojnë ekonominë tonë, demokracinë tonë, apo jetën e përditshme të bashkëqytetarëve tanë. Kjo duhet të ndalet.”– shkruan Trudeau në një postim në “Twitter”.
Trudeau tha se kanadezët ishin “të tronditur dhe sinqerisht të neveritur” nga sjelljet e disa protestuesve, të cilët gjatë protestave të tyre kanë kryer akte vandalizmi dhe abuzim racor.
Drejtuesit e kamionëve janë ngritur kundër rregullave të Kanadasë për vaksinën kundër Covid. Automjetet e tyre kanë bllokuar kryeqytetin, i cili ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Për gati dy javë, qindra kamionë kanë bllokuar qendrën e qytetit, duke detyruar shumë biznese lokale të mbyllen. Banorët nuk janë lënë të qetë as nga zhurma e vazhdueshme e borive. Të hënën, megjithatë, një gjykatës i Otavës vendosi që kamionistët duhet të ndalojnë zhurmën e borive për 10 ditë.
Ndërsa shumica e protestave ka qenë paqësore, policia e Otavës ka thënë se është e shqetësuar për retorikën ekstremiste të përdorur nga grupet e ekstremit të djathtë në tubim. Përveç abuzimeve racore dhe homofobike të raportuara, janë shfaqur dhe simbolet naziste.
Policia e Otavës ka thënë se janë duke hetuar më shumë se 60 incidente, duke përfshirë krimet e supozuara të urrejtjes dhe dëmtimin e pronës.
“Dua të jem shumë i qartë – ne nuk jemi të frikësuar nga ata që shajnë dhe abuzojnë me punëtorët e biznesit të vogël dhe vjedhin ushqim nga të pastrehët.”- tha Trudeau para deputetëve gjatë një debati të hënën, citon BBC. “Ne nuk do të dorëzohemi para atyre që mbajnë flamuj racistë, nuk do të dorëzohemi para atyre që përfshihen në vandalizëm ose çnderojnë kujtimin e veteranëve tanë.”