Vendosni fjalën kyçe....

Lazër Matija zgjidhet kryetar i ri i Shoqatës Rajonale të Futbollit në Shkodër



Këtë të martë u zhvilluan punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër.

Pika kryesore ishte zgjedhja e kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, ku ishin dy propozime: Kujtim Shaba dhe Lazer Matija.

Matija u zgjodh kryetari i ri i SHRF Shkodër, duke pasuar Armando Cungun. Sikurse bën me dije FSHF, në raundin e parë Matija mori 14 vota përballë 9 votave për Shabën, ndërkohë që në raundin e dytë Matija mori 15 vota dhe Shaba 8.

Ky votim u mbajt pa praninë e mediave, si në çdo qytet tjetër ku janë zhvilluar zgjedhjet për kryetar të Shoqatës Rajonale të Futbollit.

Gjatë fjalës së tij, Matija falendëroi anëtarët e SHRF Shkodër për mbështetjen dhe zgjedhjen e tij si kryetar i kësaj shoqate. Ai u zotua se do të bëjë maksimumin për të zhvilluar më tej futbollin në Shkodër.

“Është një moment i veçantë për mua dhe futbollin në rajonin e Shkodrës duke qenë se sot u zhvilluan zgjedhjet. Shoqatat më zgjodhën mua si Kryetar të ri dhe do punoj e kontribuoj për ta rrit cilësinë e futbollit në shoqatën tonë, për ta bërë një shoqatë model ashtu siç i takon djepit të futbollit shqiptar. Dua të falënderoj të gjitha shoqatat që më propozuan dhe më votuan por edhe ata që votuan për kandidatin tjetër.

Ne do të punojmë të gjithë së bashku që të rrisim cilësinë e futbollit në shoqatën tonë. Mendoj se ishte nje proces shumë i mirë, një proces transparent, zgjedhjet më demokratike që mund të zhvilloheshin ashtu siç i shkon Shkodrës, me transparencë dhe mirëkuptim. Edhe kundërshtari im e pranoi rezultatin dhe mendoj se kjo është fitorja më e madhe: pranimi i rezultatit nga të gjitha palët.”– tha Matija.