Vendosni fjalën kyçe....

Macron: Putini më siguroi se s’do ketë përshkallëzim të ri në Ukrainë


Presidenti francez Emmanuel Macron u ka thënë gazetarëve se homologu i tij rus Vladimir Putin e ka siguruar atë se forcat ruse nuk do të rrisin krizën pranë kufijve të Ukrainës.

“Kam marrë një garanci se nuk do të ketë përkeqësim apo përshkallëzim.“- tha ai përpara takimit në Kiev me liderin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, citon BBC.

Megjithatë sipas tij, Rusia tha se çdo sugjerim për një garanci nuk ishte “i drejtë”.

Rusia ka mohuar çdo plan për të pushtuar Ukrainën, por ka mbledhur më shumë se 100 mijë trupa pranë kufijve të saj.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Rusia ka mbledhur 70% të forcave ushtarake të nevojshme për një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës.

Tensionet midis Rusisë, Ukrainës dhe Perëndimit vijnë gati tetë vjet pasi Rusia aneksoi gadishullin jugor të Krimesë dhe mbështeti një rebelim në rajonin lindor të Donbasit.

Moska akuzon qeverinë ukrainase se kishte dështuar në zbatimin e marrëveshjes së Minskut – një marrëveshje ndërkombëtare e sponsorizuar nga Gjermania dhe Franca për të rivendosur paqen në lindje, ku rebelët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë një pjesë të territorit dhe të paktën 14 mijë njerëz janë vrarë që nga viti 2014.

Presidenti Macron këtë javë po zhvillon një turne diplomatik nëpër kryeqytete të disa vendeve duke u përpjekur të gjejë një zgjidhje për krizën në Ukrainë. Ai mbërriti sot në kryeqytetin ukrainas, Kiev, pas gati gjashtë orësh bisedimesh me Putinin në Moskë të hënën.

Volodymyr Zelenskiy dhe Emmanuel Macron

Në një konferencë shtypi me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, Macron tha se tani ekziston mundësia për t’i bërë këto negociata të ecin përpara midis Rusisë dhe Ukrainës dhe se ai mund të shohë “zgjidhje konkrete” për uljen e tensioneve.

Ai tha gjithashtu se kishte një “vendosmëri të përbashkët” për të zbatuar marrëveshjen e Minskut. Çdo zgjidhje për krizën mund të marrë muaj, tha ai, por ai përsëriti se Putini i kishte thënë se nuk do të qëndronte pas ndonjë përshkallëzimi.

Ndërkohë, Zelenskiy tha se priste që “në të ardhmen e afërt” të kishte bisedime midis Rusisë, Francës dhe Gjermanisë për zgjidhjen e konfliktit të vazhdueshëm në Ukrainën lindore.

Por ai i bëri thirrje Putinit të marrë masa serioze për të ulur tensionet. “Nuk u besoj shumë fjalëve, besoj se çdo politikan mund të jetë transparent duke ndërmarrë hapa konkretë.”- tha ai, sipas BBC-së.

Takimi i Kievit erdhi pas bisedimeve midis Macronit dhe Putinit në Moskë. Putin la të kuptohet se ishte bërë përparim pas këtyre diskutimeve dhe se disa nga propozimet e Macronit “mund të përbëjnë bazën e hapave të mëtejshëm të përbashkët” , megjithëse sipas tij “ndoshta është ende herët për të folur” për to.