Vendosni fjalën kyçe....

SPAK e mori si të pandehur, KPA pezullon nga detyra gjyqtarin Ardian Hajdari


KPA ka vendosur të pezullojë nga detyra më 7 shkurt anëtarin, Ardian Hajdari, pasi ky i fundit u mor si i pandehur nga SPAK.

Ardian Hajdari është anëtari i dytë i Kolegjit që pezullohet, pas Luan Dacit i cili dhe u shkarkua pasi u deklarua fajtor me vendim të formës për falsifikim të formularit të aplikimit për një pozicion në institucionet e vetingut.

Hajdari është kallëzuar penalisht për akuzat e fshehjes së të ardhurave dhe deklarimit të rremë të pasurisë në qershor 2020. Padia ndaj tij është ngritur nga ish-prokurorët dhe ish-gjyqtarët Antoneta Sevdari, Elsion Sadiku dhe Ervin Metalla.

Njoftimi i KPA-së:

Pas vënies në dijeni për marrjen në cilësinë e të pandehurit të gjyqtarit Ardian Hajdari nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u zhvillua më datë 07.02.2022, Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila me vendimin nr.13, datë 07.02.2022, në mbështetje të nenit C, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, të nenit 128, pika 3, germa “b”, të nenit 179, pika 7, si dhe të nenit 179/b, pikat 5 dhe 6 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vendosi:

Pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, z. Ardian Hajdari.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.