Vendosni fjalën kyçe....

Balla në Lushnjë: Është e dukshme që PS me Eriselda Sefën do t’i fitojë zgjedhjet e 6 Marsit


Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, Taulant Balla ndodhej këtë të shtunë në një takim me banorët e Karbunarës.

Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh i bindur se Bashkia e Lushnjës do të drejtohet nga Eriselda Sefa. Në një moment ai ka folur edhe për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga Kuvendi dhe vendimin që pritet të marrë Gjykata Kushtetuese. Balla tha se presidenti ka probleme me leximin e Kushtetutës.

 “Kemi ardhur bashkë me Eriseldën për një takim në këtë pjesë të rëndësishme të qytetit të Lushnjes ku Partia Socialiste ka gjetur një mbështetje të madhe dhe gjej rastin t’ju falenderoj edhe në emër të Edi Ramës për mbështetjen që dhatë edhe në zgjedhjet e 25 prillit.

Zgjedhjet tashmë po bëhen vit pas viti, duke rizhvilluar zgjedhjet vendore për një mandat të shkurtër 1-vjeçar edhe pse Presidenti i Republikës duhet t’i kishte thirrur këto zgjedhje në korrik apo në gusht të vitit të kaluar, por ju e dini që presidenti ynë ka probleme me leximin e Kushtetutës dhe kuvendi ynë ka vendosur ta shkarkojë, por kjo vendimmarrje i takon Gjykatës Kushtetuese.

Unë kërkoj votëbesimin tuaj për një kandidate tepër të mirë për shkak të eksperiencës së saj në qeverisjen vendore, për shkak të eksperiencës në menaxhimin e financimeve të huaja dhe 16 viteve në nivelet e qeverisjes vendore e bëjnë Eriseldën kandidaten e duhur për të punuar apo transformuar më tej Bashkinë Lushnje me të gjitha investimet publike që kjo bashki ka nevojë. Këto janë zgjedhje të cilat Sali Berisha dhe Ilir Meta i thirrën, jo për t’u përballur me ne sepse me ne e dinë si dalin por për t’u përballur me Lulzim Bashën sepse secila prej tyre duhej thirrur ne kohën e duhur. Në Shkodër zgjedhjet duheshin thirrur në gusht të 2019-ës dhe nuk u thirrën. Përse? Pra kjo lë vend për dy beteja, beteja jonë për të transformuar Lushnjen dhe beteja e Saliut dhe Ilir Metës me Lulzim Bashën.

Kërkojmë votëbesimin tuaj, t’i japim mundësinë Eriseldës të fillojmë të bëjmë punë të cilat kanë kohë që presin, këtu tek ju dhe në të gjithë Bashkinë Lushnje. Prandaj nuk duhet ta humbasim këtë moment, pasi kundërshtari ynë nuk janë kandidatët e Lulit, Saliut apo Ilirit por thirrja ime është që të kemi sa më shumë pjesëmarrje në 6 mars. Është e dukshme që Partia Socialiste me Eriselda Sefa do t’i fitojë këto zgjedhje.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve ka shumë rëndësi që unë ta kem më të lehtë që në ditën e mësuesve në 7 mars apo 8 mars t’i kërkojmë Edi Ramës më shumë mbështetje për Lushnjen.

Lushnja ka dhënë shumë dhe nuk ka marrë atë që ka merituar nëse do e shohim në shumë aspekte: Është Bashkia e shtatë më e madhe në Shqipëri. Pozicioni gjeografik kyç, kudo që të shkosh duhet të kalosh në Lushnje. Ndaj për këtë arsye dua që të jemi të gjithë bashkë në datën 6 mars, t’i japim kësaj vajzës votëbesimin për të drejtuar Bashkinë e Lushnjes.”– tha sot Balla.