Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi në një intervistë për Report TV deklaroi se në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit do votohet elektronikisht vetëm në Bashkinë Vorë për shkak të kohës në dispozicion sepse numri i qendrave të votimit në Vorë është më i vogël se numri i pajisjeve që kanë për votimin elektronik.
“Koha në dispozicion nuk na mundësonte të shtonim numrin e këtyre pajisjeve. Për më tepër nuk është proces i thjeshtë si teknikisht dhe financiarisht.”-tha Celibashi.
Celibashi tha se më 6 mars rezultati do shpallet brenda 48 orëve.
“Konsidero edhe numrin e vogël të kandidatëve dhe natyrën jo shumë të komplikuar, do i respektojmë parashikimet e ligjit, por mund ta kemi rezultatin dhe pak më shpejt.”-deklaroi Celibashi.
Ndër të tjera, Ilirjan Celibashi, tha se janë 190 milionë lekë të akorduara nga qeveria për procesin zgjedhor të 6 marsit.
“Kemi mbështetje edhe nga donatorë të tjerë për të përmbushur detyrimet që lidhen me përgatitjen e këtij procesi zgjedhor.”-tha Celibashi.
Për procesin e votimit dhe numërimit, duke i kujtuar kallëzimin që KQZ ka bërë më 25 prill për disa numërues dhe anëtarë të ZAZ-ve, Celibashi tha se e kanë në vëmendje.
“Askush prej nesh s’ka dëshirë të bëjë kallëzime, por për shkak të interesit publik duhet bërë. Mesazhin e kanë marrë të gjithë. Besoj se nuk do të ketë probleme në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Partitë politike besoj e kanë kuptuar që njerëzit që kanë propozuar të mos bëjnë veprime në kudërshtim të ligjit.”-tha Celibashi.