Komunikimet e kapura nga inteligjenca e SHBA-së kanë zbuluar se disa zyrtarë rusë janë shqetësuar se një pushtim në shkallë të gjerë i Ukrainës do të ishte më i kushtueshëm dhe më i vështirë sesa e mendojnë presidenti rus Putin dhe udhëheqës të tjerë të Kremlinit.
Tre nga katër burimet thanë se këta zyrtarë përfshijnë inteligjencë dhe operativë ushtarakë.
Zyrtarët ushtarakë rusë gjithashtu janë ankuar për planet e tyre që janë zbuluar dhe ekspozuar publikisht nga vendet perëndimore, thanë dy nga burimet, duke cituar komunikimet e përgjuara, shkruan CNN.
Nuk ka asnjë provë se këta zyrtarë janë kundër planit të përgjithshëm apo se janë revoltuar kundër urdhrave të Putinit, thanë dy nga burimet. Një burim tjetër i njohur me inteligjencën amerikane vuri në dukje se Rusia ka një ushtri profesionale që pritet të zbatojë në mënyrë efektive urdhrat e Putinit.
Megjithatë, personeli rus i mbrojtjes beson se do të jetë e vështirë, tha një zyrtar i lartë evropian.
“Në vlerësimet që shohim është e qartë se disa njerëz nga krahu rus nuk po e kuptojnë vërtet se cili është plani i lojës.” – tha zyrtari. Një tjetër prej burimeve të njohura me inteligjencën tha se mënyra se si planifikimi rus ka evoluar dhe zgjeruar gjatë dy muajve të fundit sugjeron se shqetësimet janë dëgjuar nga zyrtarë të lartë rusë.
Zyrtarët i thanë CNN të shtunën se Putini tani ka mbledhur 70% të personelit ushtarak dhe armëve në kufijtë e Ukrainës që do t’i duheshin për një pushtim të plotë të vendit. Disa vlerësime tregojnë se ai mund të planifikojë të përpiqet të marrë kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, thanë ata dhe qyteti mund të bjerë brenda 48 orëve nga një pushtim në shkallë të gjerë tokësore dhe ajrore.
Një tjetër mundësi, thanë zyrtarët, është që Putini të vendosë për një operacion të shumëanshëm, duke dërguar forca nga disa drejtime anembanë Ukrainës për të thyer shpejt aftësinë e ushtrisë ukrainase për të luftuar si një forcë e përbashkët, një strategji klasike ushtarake ruse.