Vendosni fjalën kyçe....

Këshilltari ligjor i Metës tregon shkeljet: Kuvendi manipuloi dokumentet në seancën në Gjykatën Kushtetuese


Këshilltari Ligjor i presidentit Meta ka dhënë arsyet ligjore që sipas tij vërtetojnë falsifikimin e dokumenteve nga ana e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese dhe që çuan në kallëzimin penal të Kuvendit në prokurorinë e Tiranës dhe në SPAK.

Gjatë një konference për shtyp në mjediset e Presidencës, Dervishaj tha se falsifikimi në dokumentet e dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese u bë me qëllimin e vetëm që të tentohej shkarkimi i kreut të shtetit.

“Presidenti autorizoi këtë kallëzim penal që u evidentua qartë edhe në Gjykatën Kushtetuese e ne ia demonstruam live faktet e manipulimit të disa akteve shkresore që Kuvendi i depozitoi së fundmi si provë. Ashtu siç e kemi bërë publike edhe në daljet tona, këto akte të reja kishin të bënin me urdhër të ish-kryetarit të Kuvendit, shoqëruar me rendin e ditës. Nga krahasimi i dokumenteve të bëra nga dokumentet shkresore të sjella nga Kuvendi i Shqipërisë më datë 4, rezultojnë ndryshime thelbësore në datë të urdhrit dhe në përmbajtje ku përcaktohet se çfarë është rendi i ditës. Kishte ndryshime në datë. Përmes këtyre ndryshimeve tentohej të orientohej GJK drejt një date 5 që të tentohej rrëzimi i disa pretendimeve të ngritura nga presidenti dhe që kishin të bënin me afatin 48 orë. Manipulimi është i dukshëm. Data 6 ndryshon nga data 5. Përmbajtja e kryetarit ndryshon nga ajo e publikuar. Konsistenca e veprimit jo vetëm me letër, por që në hyrje të seancës gjyqësore në orën 10, e zonja Tusha informoi palët për provat e reja, Kuvendi përmes përfaqësuesve deklaron se provat e reja i kanë sjellë me qëllim rrëzimin e pretendimeve të Presidentit. Ato do i ndryshonin përmes datave, e të justifikonin se miratuan dy vendime dhe kanë respektuar afatet. Këto elementë, përmbajnë edhe elementë të karakterit penal ku mund të jenë përfshirë disa zyrtarë të lartë të Kuvendit apo ish funksionarë të lartë që janë objekt procedimi nga struktura e posaçme. Kjo është arsyeja që kallëzimi i depozitohet edhe SPAK edhe Prokurorisë së Tiranës. Kush e urdhëroi administratën e Kuvendit të kryente këto veprime. Kjo duhet zbardhet nga prokuroria.” – tha Dervishaj.