Vendosni fjalën kyçe....

Kontrolli në depot farmaceutike, KLSH: Fondi ka shfaqur ineficencë, nuk janë kryer në bazë risku


Kontrollet në depot farmaceutike kanë shfaqur ineficencë dhe nuk janë kryer në bazë risku.

Të paktën këto janë konstatimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit pas një auditimi të kryer në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

KLSH është ndalur tek rimbursimet së pari ku ka vlerësuar se nuk janë kryer kontrolle nga drejtoria përkatëse duke marrë në analizë depot që kanë edhe vlerën më të lartë.

“Mangësi në veprimtarinë e Drejtorisë Kontrollit që përfshijnë: mos kryerjen e kontrolleve në subjektet farmaceutike me rimbursimin më të lartë sipas rajoneve specifike në disa raste dhe nuk janë kryer kontrolle në të gjitha subjektet farmaceutike me rimbursim mesatar mujor mbi 2 milion lekë; mos kryerjen e kontrolleve mbi hedhjen në treg të barnave të rimbursueshme me receta për individë të cilët nuk e përfitojnë rimbursimin” vlerësojnë audituesit.

Në të njëjtën vazhdë me këtë, raporti ka nënvizuar se janë vërejtur gjithashtu “mangësi në planifikimin, përgatitjen dhe formulimin e planeve vjetore e mujore në Drejtorinë e Kontrollit, Sektorin e Kontrollit Spitalor dhe ineficencë në kontrollet e kryera jo në bazë risku; mosushtrimin e kontrolleve në depot farmaceutike me inventarizim të plotë, megjithëse referuar të dhënave të administruara nga programi informatik i depove konstatohen diferenca në sasitë e barnave sipas deklarimeve të depove në momentin e ndryshimit apo indeksimit të LBR-ve (lista e barnave të rimbursueshme) përgjatë periudhës objekt auditimi në plus në shumën 717.57 milionë lekë dhe në minus në shumën 482.78 milionë lekë për vitin 2019 dhe për vitin 2020 në plus në shumën 52 milionë lekë dhe diferenca në minus në shumën 207.63 milionë lekë.”

Ajo që duket se ka munguar gjithashtu përgjatë periudhës së marrë në auditim sipas dokumentit është edhe analiza për situatën e barnave të rimbursueshme në treg. Pra nga ana e institucionit nuk është bërë një vlerësim real mbi disponibilitetit të barnave të rimbursuara në tregun farmaceutik; si dhe në verifikimin e të dhënave të dërguara mbi disponibilitetin e barnave.

Edhe ngarkesa e mjekëve të familjes sipas normave që janë caktuar nga ministria përgjegjëse për shëndetin nuk është marrë në vlerësim sipas konstatimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit duke mos dhënë kështu një panoramë të qartë indikatorët në kujdesin shëndetësor parësor. /N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor